Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë kërkesë nga Gjykata për caktimin e ndalimit ndaj Astrit Pacollit.
Një vendim i tillë do të merret me dyshimin se ka kryer veprat penale “Grabitja” si dhe veprën penale “Përdorimi i mjetit të rrezikshëm”.
Ekziston dyshimi i bazuar, se më 20.03.2019, rreth orës 18:26 minuta, në rrugën “Bajram Gashi” në Lipjan, konkretisht në kazinon “Matrix”, i pandehuri Astrit Pacolli, me përdorimin e forcës, e ka përvetësuar pasurinë e luajtshme të personit tjetër, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, i njëjti me mjet zjarri, ka gjuajtur dy herë, me ç’ rast (Florent Ahmetaj) nga plagët e marra, ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, kurse i pandehuri ka marrë shumën e parave në vlerë prej 2700€ dhe është larguar në drejtim të panjohur.
Foto, viktima Florent Ahmetaj
Pas angazhimit të vazhdueshëm të Policisë së Kosovës, të udhëhequr nga Prokurori i Shtetit, kanë arritur të bëjnë identifikimin, zbulimin e vendndodhjes dhe prangosjen e të dyshuarit, më 03.04.2019.Po ashtu, ju njoftojmë se, sot, më 05.04.2019, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, do të mbahet seanca dëgjimore, për shqyrtimin e masës për caktimin e ndalimit, të propozuar nga prokurori i çështjes, bazuar në dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.