Anëtari i LDK’së, Muhamet Hamiti, ka reaguar pas vizitës së kryeministrit, Albin Kurti, në rezidencën e ish-presidentit Ibrahim Rugova ku po kryhen punime për restaurim.
Hamiti, me anë të një postimi në ‘Facebook’ kujtoi deklaratën e kryeministrit Kurti dikur, i cili e quante Rugovën kolaboracionist, shkruan Insajderi.
“Albin Kurti me VV-në e tij e quanin Ibrahim Rugovën “kolaboracionist”, madje ditën kur qindra mijëra shqiptarë të Kosovës i bënë nderimet e fundit Atij, Presidentit historik të Kosovës, Atit Themeltar të shtetit tonë. Rugova dhe rugovizmi i kanë bërë dëme Kosovës, thoshin. Sot, mbas 18 vjetësh, fjalë të tjera. Pse? Sepse do të mashtrojë për vota para zgjedhjeve nacionale. Kameleon politik është Albin Kurti. Lojcak i paskrupullt“, deklaroi Hamiti.
Para 16 vitesh, Kurti kishte refuzuar të shkonte në varrimin e Rugovës. Në komunikatën e VV’së mos-prezenca e Kurtit arsyetohej duke thënë se pjesëmarrës nuk ishin as familja Jashari, kinse të vetëdijshëm për dëmin politik që ia kishte bërë ish-presidenti Rugova dhe fryma rugoviane.
“Në varrimin e Rugovës nuk ishte familja Jashari, nuk ishte Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe nuk ishin edhe shumë bashkëluftëtarë e atdhetarë të cilët e dinin dëmin politik që Kosovës i bëri Rugova e rugovizmi. Por ti ishe aty dhe nuk të vinte fare turp sepse tani më nuk dalloheshe nga ai. Jo vetëm që flisje si ai, por tani ishe mësuar që edhe të silleshe si ai. Të ka mbetur vetëm edhe gur të fillosh të shpërndash”, thuhej në komunikatën e emërtuar “Gjaku i humbur”, ku sulmohej edhe ish-presidenti Hashim Thaçi.
“Ai (Rugova) ishte kolaboracionist sepse nuk ishte betuar asnjëherë për çlirimin e Kosovës, kurse ti je tradhtar i kombit sepse e ke shkelur betimin e dhënë. Dallimi tjetër është se ai nuk mund të na mashtrojë më, e ti potencialisht e ke ende një mundësi të tillë”, deklarohej tutje në komunikatë.
Kjo komunikatë, sikurse shumë komunikata të tjera kontroverze, janë larguar nga platforma ‘online’ e uebfaqes së Lëvizjes Vetëvendosje.