
Pas deklaratës së Elijonës për përfundimin e lidhjes së tyre, ka reaguar edhe Klodi, duke zgjedhur që t’u drejtohet ndjekësve përmes një postimi në Instagram.
Ish-banori i “Big Brother VIP Kosova” ka folur për reagimet dhe teoritë e shumta që janë krijuar në ditët e fundit lidhur me ndarjen e çiftit.
Klodi ka bërë të ditur se, pavarësisht interesimit të madh të publikut, nuk ka shumë përgjigje për të dhënë në këtë moment, ndërsa ka theksuar se ndjenjat e respektit dhe dashurisë nga ana e tij mbeten.
“Njerëz, ju dua shumë. Fatkeqësisht nuk di çka tjetër me shtu. Do të doja shumë t’ju jepja përgjigje, por nuk i kam as unë për mi dhënë.
Gjithsesi, dashnia dhe respekti prej anës time mbeten gjithmonë”, ka shkruar Klodi.
Në reagimin e tij, ai është ndalur veçanërisht te teoritë që kanë qarkulluar në rrjetet sociale pas lajmit për ndarjen.
Sipas tij, disa prej pretendimeve kanë shkuar përtej asaj që ai e konsideron të pranueshme, duke bërë që situata të bëhet e rëndë jo vetëm për të, por edhe për familjen e tij.
“Për sa i përket teorive të shumta, më duket e kotë edhe që po më duhet me i adresu, por u bë pak e tepërt… Nuk ka pasur kurrë as tradhti dhe as keqtrajtim prej anës time. Kam dëgjuar shumë gjëra për veten dhe është e rëndë si për mua, ashtu edhe për familjen time”, është shprehur ai.
Me këtë deklaratë, Klodi ka mohuar publikisht dy prej pretendimeve që, sipas tij, janë përmendur gjatë diskutimeve rreth ndarjes.
Ai nuk ka dhënë detaje të tjera mbi arsyet që kanë çuar në përfundimin e lidhjes, duke lënë të kuptohet se nuk dëshiron që të ndajë më shumë informacione personale në këtë fazë.
Në fund të mesazhit, ish-banori i BBVK-së ka kërkuar që situata të mos përshkallëzohet më tej dhe ka lënë gjithçka në kohë, duke thënë se e vërteta do të bëhet e qartë.
“Koha do tregojë çdo gjë. Ju dua”, ka përfunduar Klodi.
Reagimi i tij erdhi pak pasi Elijona konfirmoi publikisht se lidhja e tyre ka përfunduar.
Ajo gjithashtu kërkoi respekt për privatësinë e të dyve në këtë periudhë, duke mos dhënë shumë detaje rreth arsyeve të ndarjes.
Deklaratat e dy ish-partnerëve kanë nxitur interesim të madh te ndjekësit, sidomos për shkak të faktit se lidhja e tyre ishte bërë publike dhe ishte ndjekur me interes nga një pjesë e madhe e publikut.
Megjithatë, deri më tani, të dy kanë zgjedhur të mos japin një version të detajuar mbi atë që ka ndodhur mes tyre, ndërsa Klodi ka bërë thirrje që të ndalen spekulimet dhe të respektohet situata e krijuar./ORAinfo/

