E shijuam, ëndërruam dhe luftuam deri në fund

23:01 | 24 June 2024

Fatkeqësisht, këtu është fundi për kombëtaren shqiptare në Euro 2024.

Shqipëria u mposht nga Spanja në xhiron e fundit të fazës së grupeve, duke e mbyllur aventurën e Evropianit.

Një Evropian, që ishte mjaft i mirë për kuqezinjtë, por që ishin të pafatë, duke u shortuar me tri prej ekipeve më të mira në botë, Spanjën, Italinë dhe Kroacinë.

Sonte, në duelin ku na duhej fitorja, u mposhtëm 0:1 nga superfuqia, Spanja në Dusseldorf.

Ferran Torres shënoi golin e vetëm në minutën e 13-të të ndeshjes.

Shqipëria i pati disa raste të vogla, por që nuk arriti që të paktën të evitonte humbjen.

Një barazim fantastik ndaj Kroacisë, një humbje e ngushtë 2:1 nga Italia dhe një humbje minimale nga Spanja.

Ishte paraqitje solide e tanëve, e spektakolare ishte paraqitja e tifozëve kuqezi.

50 mijë tifozë në ndeshjen ndaj Italisë, mbi 20 mijë ndaj Kroacisë dhe rreth 40 mijë ndaj Spanjës.

Nuk u ndalën për asnjë moment në përkrahje të kombëtares si brenda stadiumit, ashtu edhe jashtë saj, duke zënë vend në mediat më të mëdha evropiane.

Ishte bukur aq sa zgjati, një falënderim fantastik.

Komento: