Një 36-vjeçar nga Shqipëria ka humbur jetën në një qeli në Francë.
Sipas raportimeve të Top-Channel, ai ishte në procedura për të marrë azil kur edhe u gjet pa shenja jete në qelinë e tij.
Njoftimi sipas familjarëve të Mentor Rexhës, është bërë me vonesë.
Ata nuk janë njoftuar në rrugë zyrtare për vdekjen e familjarit të tyre.
Sipas autoriteteve franceze Rexha ia ka marr vetës jetën
Por, familja e 36-vjeçarit ka dyshime të forta se ai është privuar nga jeta.
Motra e të riut thotë se vetëm tani vonë janë lejuar që ta shohin në morg.
“Fillimisht më kërkuan që të firmos një shkresë pa parë trupin, por unë nuk pranova”, thotë ajo.
Vetëm pasi ka shkuar vetë në morg, ka arritur të konstatojë shenjat e dhuunës.
Trupi nuk është kthyer ende në Shqipëri, ndërsa të afërmit bëjnë apel për ndihmë, sepse ambasada shqiptare në Francë është shprehur se nuk ka fonde për t`i asistuar.
Mentor Rexha, i lindur në Lezhë dhe me banim në Shkodër, përpara një viti kishte udhëtuar drejt Francës si emigrant dhe kishte aplikuar për procedurat e marrjes së statusit të azilantit.
Por ndërkohë, ai ka përfunduar në qeli bashkë me dy shqiptarë të tjerë për djegien e disa automjeteve, ndërsa e motra thotë se në komunikimet që kanë pasur, Rexha gjithmonë ka pretenduar pafajësinë.
Duke mos besuar variantin e autoriteteve franceze, të afërmit i kanë bërë dhe foto trupit që tregojnë një shenjë litari në fyt, por edhe të çarë në kokë si dhe shenja të tjetra në trup, që i bën ata të dyshojnë se e vërteta nuk është aspak siç po u paraqitet.
Ngjarja risjell në kujtesë episodin e trishtuar të përpara dy viteve, kur Florenc Beqiraj humbi jetën në një burg të Francës, teksa ishte dhe ai në pritje të azilit.