Një ngjarje e rënë ka ndodhur në spitalin e Prizrenit.
Si pasojë e dhimbjeve të mëdha të barkut, pacientes me inicialet V.Q iu desh që të kërkonte ndihmë mjekësore në Spitalin e Prizrenit.
Këto dhimbje u konstatua se kanë ardhur nga sëmundja e ‘Apendesit’ apo njohur ndryshe si ‘Zorra Qorre’.
Për t’u futur në operacion, pacientes iu desh të duronte dhimbjet për disa orë, pasi kirurgu i cili gjendej në atë kohë në Klinikën Kirurgjike nuk pranonte ta operonte, e gjithë kjo sipas pacientes dhe familjarëve të saj, në kërkim të parave.
Familjarët e pacientes thonë për Indeksonline se u detyruan që t’i jepnin doktorit në fjalë 200 euro, si mundësi për t’u futur në operim.
Përderisa pacientja po rënkonte nga dhimbjet e mëdha, sipas familjarëve britma e pacientes ishte pengesë për doktor Ymerin.
Gjersa pacientja dëgjohet duke qajtur nga dhimbjet, në audion e siguruar nga Indeksonline dëgjohet doktori duke ofenduar me fjalë të ndryshme, ndërsa në një moment e quan atë edhe idiote.
“Punë e madhe që ke dhimbje , mos më shurdho shumë, mos u bë idiote, shuj. Ik aty majmun, se po ta dho një shuplakë. Stë vjen marre , shuj, mbylle gojën, mbylle”, ishin vetëm disa prej fjalëve që doktori i tha pacientes.
Dikush që qëndronte në dhomën e njëjtë nuk ka hezituar që të incizojë atë përderisa po ofendonte pacienten V.Q.
Portali ka kontaktuar edhe kirurgun në Spitalin e Prizrenit, Rrahim Ymeri.
Ai ka kundërshtuar një gjë të tillë, duke thënë se janë pallavra.
“Çfarë video bre s’ka unë jam i moshuar po çfarë video. Pallavra janë ato , pallavra”, ishin fjalët e doktorit i cili fliste me zë të lartë dhe në fund e mbylli telefonin.