Hashim Thaçi thotë se Komisionari Hahn pritet të marrë rol dialogues në procesin e pezullimit të taksës.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë të premten se ka diskutuar me Komisionarin e Bashkimit Evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, lidhur me taksën prej 100 për qind, që Qeveria e Kosovës ka vënë në importet e Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës.
Thaçi i ka vlerësuar si jolojale, politikat e Kosovës ndaj SHBA-së.
“Askush nuk është mësuar në 20 vjetët e fundit, që Kosova të mos dëgjojë këshillën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kemi popullatën më pro-amerikane dhe të kemi një qasje të politikave mosdëgjuese dhe jolojale ndaj SHBA-së”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, “komisionari Hahn, pritet të marrë një rol dialogues në këtë proces, për pezullimin e përkohshëm dhe hapjen e mundësisë së dialogut” mes Kosovës dhe Serbisë, që zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se vendimi për mospezullim të kësaj mase nga Qeveria e Kosovës përbën qëndrim kundër interesave të SHBA-së.
Thaçi, përveç tjerash ka shtuar se për të është i pakuptueshëm “kushtëzimi i dialogut nga ana e Serbisë në raport me Kosovën”.
Ai ka thënë se bisedimet lidhur me tarifën dhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë edhe ditën e shtunë, në kuadër të takimeve që do të zhvillojë ai në Mynih të Gjermanisë, meqë po merr pjesë në një Konferencë për Siguri në këtë qytet.