Edhe dy persona ndalohen të dyshuar lidhur me rastin “Karaçeva”

16:19 | 14 Tetor 2020

Ndalohen edhe dy persona të dyshuar lidhur me rastin “Karaçeva”.

Prokuroria Themelore në Gjilan, Inspektorati Policor i Kosovës dhe Policia e Kosovës, ju njoftojnë se si vazhdimësi e hetimeve intensive, janë ndaluar edhe dy persona të dyshuar, lidhur me rastin ‘’Karaçeva’’, ku që nga fillimi i këtij aksioni të përbashkët numri i personave të ndaluar ka shkuar në 63.

“I dyshuari B.A., dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se në fshatin Karaçevë, komuna e Kamenicës, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, ka blerë gjedhe, për të cilat ka pasur dijeni se janë të kontrabanduara. Ndërsa, i dyshuari SH.I., dyshohet të ketë kryer veprën penale ‘’Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’’, pasi në fshatin Karaçevë, komuna e Kamenicës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, ka organizuar lojëra të fatit, të cilat janë të ndaluara me ligj”, thuhet në njoftimin për media.

Tutje u theksua se të dyshuarit B.A., dhe SH.I., me urdhër të prokurores së rastit gjenden nën masën e ndalimit prej 48 orësh.

Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe për informacione shtesë do të vazhdojmë të ju mbajmë të informuar.

Komento: