Edhe ftesa tjera vijnë të premten vijnë nga Specialja

17:14 | 23 July 2019

Të premten vijnë edhe 10 ftesa të Speciales – Haga i ka kontaktuar rreth 80 deri më tani.

Pas ftesës në adresë të Ramush Haradinajt, Jakup Krasniqit, Bislim Zyrapit e Sokol Bashotës, të premten Specialja do të “trokasë” edhe në dyert e së paku 10 ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Bashkë me këto ftesa, numri i ushtarëve e eprorëve të UÇK’së që do të intervistohen nga Gjykata Speciale shkon në rreth 80-të.

Haga do të jetë destinacioni kryesor këtë verë për disa ish ushtarë e eprorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ditët e verës, ata pritet t’i kalojnë duke u endur nëpër zyret e prokurorëve të Speciales.

Numri i atyre që deri tash kanë marrë ftesa për intervistim shkon në mbi 70’të, por që nuk mbaron këtu.

Pas ftesës për Haradinajn, Krasniqin, Zyrapin e Bashotën, sipas përfaqësuesve të OVL e UÇK’së, edhe 10 ftesa të tjera do të shpërndahen këtë të premte për ish ushtarë të UÇK’së, duke bërë që numri i të ftuarve të shkojë në rreth 80’të.

Të gjithë këta do të intervistohen nga hetues të Gjykatës Speciale, si të dyshuar apo dëshmitarë për krime lufte dhe krime të tjera nga janari i 1998’ës e deri më dhjetor të vitit 2000.

Në Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së thonë se në mesin e atyre që do të ftohen të premten nuk ka fytyra të njohura.

Kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati i ka thënë Gazetës Express se këtë të premte do të shpërndahen ftesa të reja nga Specialja.

“Deri tash për ish-ushtarë janë shpërndarë mbi 70 ftesa nga Gjykata Speciale. Por, ftesat e fundit që po përflitet se kanë me ardhë shkon numri në rreth 80’të.Të premten priten me u shpërndarë prapë ftesa të reja. Vetë ata do t’i bëjnë publike. Nuk ka fytyra të njohura në mesin e këtyre që do të ftohen të premten”, ka thënë Gucati.

Gucati thotë se të ftuarit janë ushtarë e veteranë të UÇK’së, por që nuk janë njerëz që janë të njohur në publik.

“Është një numër bukur i madh i ftesave që do të vijnë të premten, por që me numër të saktë nuk e di. Vetëm mund të them se janë së paku 5-10 ftesa. Disa janë lajmëruar në këto Dhomat e Specializuara që po u thojnë, disa kanë me shku atje. Ndërkohë, ka edhe asi që kanë shku edhe s’na kanë lajmëru ne hiç. Janë ushtarë të UÇK’së e veteranë të luftës, por që nuk janë njerëz që kanë pozita e që janë të njohur në publik”, ka thënë Gucati për Express.

Ndërkohë, sot drejt Hagës është nisur edhe kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj. Madje, arsye e dorëheqjes së tij tha ta ketë qenë ftesa që ka marrë nga kjo gjykatë.

“Kam dhënë dorëheqje prej kryetarit të qeverisë. Nga ky moment japim dorëheqje si qeveri. Jam ftuar të intervistohem si i dyshuar nga Specialja. Javën tjetër do të kem paraqitje. E kam vlerësuar se s’mundem mu paraqitë si kryetar i qeverisë edhe me rujt nderin e kryetarit të qeverisë dhe shtetit”, deklaroi Haradinaj.

Përveç tij, ftesa kanë marrë edhe ish-shefi i Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi, ish zëdhënësi i UÇK’së, Jakup Krasniqi dhe Sokol Bashota.

Ndërkohë, sot në Hagë ka përfunduar intervistimin Ish-komandanti i UÇK-së nga Zona Operative e Nerodimes, Shukri Buja. Intervistimi i tij ka zgjatur rreth dy orë, derisa ai pritet të kthehet në shtëpi nesër.

Komento: