Edhe Holanda në panik, konfirmohet rasti i parë me koronavirus

23:34 | 27 February 2020

Konfirmohet rasti i parë me kornavirus në Holandë.

Holanda i është bashkuar listës së vendeve të infektuara me koronavirus, ku autoritetet shëndetësore konfirmuan sot rastin e parë në vend.

Ministri i Shëndetësisë, Bruno Bruins, deklaroi se pacienti ishte kthyer së fundmi nga Lombardia, në veri të Italisë.

Ai është vendosur në izolim në një spital në qytetin e Tilburgut.

Ndërkohë, transmetimi i koronavirusit në vende si Irani, Italia dhe Koreja e Jugut e ka sjellë botën në një udhëkryq, ku përhapja e virusit, ose mund të frenohet, ose mund të dalë totalisht jashtë kontrollit, deklaroi shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

“Ndodhemi në një pikë kritike”, theksoi ai, duke shtuar se ky virus ka mundësi për t’u kthyer në një pandemi.

Edhe pse numri i rasteve të reja në dy ditët e kaluara rezultoi më i lartë jashtë Kinës sesa brenda saj, Tedros u shpreh se nuk është koha për panik.

“Tani është koha, për të ndërmarrë veprime, për të parandaluar infeksionet dhe për të shpëtuar jetë”, deklaroi ai, duke u bërë thirrje të gjitha qeverive të përgatiten jo vetëm për rastet e para të Covid-19, por edhe në rast përhapje epidemie.

Komento: