Edhe ish-këshilltarja e Haradinajt vihet nën llupën e AKI-së, i quan ‘hajgare’ hetimet ndaj saj

22:08 | 06 July 2019

Agjensia Kosovare e Inyelegjencës ka vënë në mbikëqyrje edhe ish këshillëtaren e kryeministrit Haradinaj, Nita Himadunën.

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, i ka dërguar një shkresë drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Shpend Maxhuni, nga i cili ka kërkuar verifikim për konsullen e re, raporton KTV.

Shkresa është dërguar nga Ministri i Punëve të Jashtme vetëm pas raportimit që ka bërë “Koha Ditore”.

“Duke pasur parasysh që në shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës, që nga fillimi i punës sime, ka pasur ndryshime në stafin diplomatik, ju drejtohem përmes kësaj letre me kërkesën që AKI-ja, me procedurë urgjente të bëjë verifikimin e Znj. Nita Himaduna, e cila është emëruar konsulle në Misionin Konsullor të Republikës së Kosovës në Nju Jork – SHBA”,thuhet në shkresën drejtuar AKI-së.

Ndër të tjera, në letër thuhet që e gjithë kjo procedurë të mbetet e fshehtë.

Një nga çështjet e ngritura ka të bëjë edhe me rastin e politikanit serb të veriut të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Sipas shkresës, një familjar i Himadunës ka qenë në komunikim me Veljko Kaziq, i cili aty identifikohet si “pjesë e strukturave të sigurisë së Serbisë me mbulesë në Ambasadën e Serbisë në Tiranë, i cili e mbulon edhe Kosovën”.

Një tjetër ka të bëjë edhe me keqpërdorim të buxhetit.

Konsullja kishte rezervuar hotele në emër të Zyrës së Kryeministrit, edhe pasi ishte larguar nga institucioni.

“Duke i pasur për bazë këto që u thanë më lartë, posaçërisht dyshimet për lidhje të ******* saj me punonjës të shërbimeve serbe të inteligjencës, është vlerësuar me interes që Nita Himaduna të mos ketë qasje (punësohet në pozitë të ndjeshme) në institucionet e Republikës së Kosovës, pasi që mund të paraqesë rrezik për sigurinë e Republikës së Kosovës”, thuhet në shkresë.

Në Zyrën e kryeministrit nuk kanë dhënë ndonjë informatë rreth çështjes së keqpërdorimit të buxhetit publik.

E nga MPJ-ja, thonë që kjo është procedurë standarde për diplomatë.

Ndërkaq, për Nita Himadunën çështjet e ngritura në shkresë janë hajgare.

“Boll keni rrejt. Apet me rrejtë nuk bon”, ka thënë ajo, kur i janë treguar pretendimet e ngritura në shkresë.

Javën e shkuar, raportimi rreth emërimit të Himadunës e ka bërë të reagojë ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett.

Komento: