Edhe Komiteti Parlamentar i Stabilizim Asociimit bën presion për heqjen e taksës

14:37 | 28 March 2019

Edhe Komiteti Parlamentar i Stabilizim Asociimit i ka bërë presion institucioneve kosovare që ta heqin taksën për mallrat që vijnë nga Serbia.

Në një sesion të mbajtur në Strasburg, Komiteti Parlamentar i Stabilizim Asociimit, i ka bërë thirrje Kosovës që të heq sa më shpejt taksën ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, transmeton lajmi.net.

Këtë e ka bërë të ditur ministrja serbe e Integrimit Evropian, Jardanka Joksimoviq.

Sipas saj, në këtë sesion është diskutuar edhe bllokimi i dialogut Kosovë-Serbi për shkak të vendosjes së kësaj takse.

Siç shkruan “B92”, transmeton lajmi.net, Joksimoviq, ka thënë se ky Komitet ka përshëndetur përkushtimin e vazhdueshëm të Serbisë për dialog dhe për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Në këtë sesion është biseduar edhe për situatën aktuale politike në të cilën ndodhet Serbia.

Ndërkaq, sipas saj, Komiteti Parlamentar miratoi tekstin e deklaratës të rënë dakord midis delegacioneve parlamentare të Serbisë dhe Parlamentit Evropian dhe u shqyrtua përparimi i Serbisë në negociatat e pranimit në BE, gjendjen e marrëdhënieve mes Serbisë dhe BE-së dhe situatën në lidhje me dialogun midis Serbisë dhe Kosovës.

Joksimoviq ka thënë se, Deklarata dhe Rekomandimet e miratuara mirëpritën përparimin e Serbisë në negociatat e pranimit dhe shprehën mbështetjen ndaj saj për perspektivën e anëtarësimit në vitin 2025, me përpjekjet e vazhdueshme për të zbatuar reformat.

Në këto dokumente, theksohet rëndësia e procesit të zgjerimit dhe Bashkimi Evropian ftohet të mbetet i angazhuar në politikën e zgjerimit.

Ajo shtoi se Këshillit të Evropës dhe Këshillit të Bashkimit Evropian, i është kërkuar që të mbështesin hapjen e kapitujve të përgatitur teknikisht dhe Serbia kërkon që të vazhdojë të arrijë përparim konkret dhe të qëndrueshëm në kapitujt e sundimit të ligjit (23 dhe 24) dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës (35).

Komento: