
KRU “Hidroregjioni” ka njoftuar konsumatorët se nga muaji janar do të hyjnë në fuqi tarifat e reja të ujit të miratuara nga Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU) në kuadër të procesit tarifor 2026–2028.
Sipas KRU-së, rishikimi i tarifave është bërë pas analizave të shumta dhe si rezultat i disa faktorëve, përfshirë:
Rritjen e çmimit të energjisë elektrike,
Rritjen e kostove operative dhe të mirëmbajtjes,
Nevojën për investime të reja dhe zgjerim të rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit.
Tarifat e reja do të aplikohen për të gjitha kategoritë e konsumatorëve dhe do të pasqyrohen në faturat mujore duke filluar nga janari i këtij viti.
KRU “Hidroregjioni” thekson se qëllimi kryesor mbetet sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm me ujë, përmirësimi i cilësisë së shërbimeve dhe realizimi i projekteve investive në interes të qytetarëve. /Telegrafi/
