Edhe ky klub i Premierligës kundërshton planin për rinisjen e sezonit

23:53 | 09 May 2020

Watfordi bëhet klubi i tretë që kundërshton planin e Premierligës për rinisjen e sezonit.

Watfordi e kanë ndjekur shembullin e Brightonit dhe Aston Villas duke e kundërshtuar publikisht planin e propozuar në “Projektin e Rinisjes” që ndeshjet e mbetura të Premierligës të zhvillohen në stadiume neutrale.

Drejtori ekzekutiv i Watfordit, Scott Duxbury, thotë se nëse ndeshjet vendoset me të vërtetë të luhen në stadiume neutrale atëherë kjo do ta rrezikonte drejtësinë dhe integritetin sportiv të garës, transmeton Express.

“Unë, natyrisht, e pranoj plotësisht se nuk mund të kemi tifozë në stadiume. Këtë as nuk kemi nevojë ta themi në këtë moment”, ka thënë Duxbury.

“Megjithatë, tani neve po na thuhet që nuk mund t’i luajmë ndeshjet e mbetura në shtëpi dhe se s’do ta kemi epërsinë që sjellin ndeshjet në shtëpi kur je i familjarizuar me stadiumin. Kjo është kundër dëshirës së lojtarëve, të cilëve u janë përmbysur jetët si të gjithëve në botë dhe pritet nga ta të luajnë sikur të mos kishte ndodhur asgjë”.

“Ne e kemi një staf mjekësor që po punon nën kushte që asnjëherë nuk i ka përjetuar ndonjë mjek më parë. Dhe me gjithë këto kompromise dhe rreziqe, neve po na kërkohet ta përfundojmë një garë që nuk i ngjason aspak asaj që e nisëm, që mund t’i japë fund periudhës së një klubi të vogël si Ëatfordi në Premierligë”.

“A është kjo e drejtë? A ka ndonjë ngjashmëri me integritetin sportiv? Natyrisht që jo”.

BBC Sport raporton se klubet e Premierligës nuk planifikojnë të votojnë për propozimin për stadiumet neutrale në takimin që do të mbahet të hënën.

Votimi për këtë çështje pritet të bëhet më vonë në maj dhe 14 nga 20 klubet e Premierligës duhet të votojnë pro këtij propozimi në mënyrë që ai të aprovohet.

Përderisa deri më tani tre klube e kanë kundërshtuar këtë propozim, BBC Sport raporton se ka edhe klube të tjera të cilët kanë qëndrim të ngjashëm.

Para votimit, shefat e ligës janë në pritje të udhëzimeve nga qeveria britanike për kriteret që do të nevojiten për ta realizuar një plan të tillë, gjë që pritet të ndodhë javën e ardhshme.

Komento: