Edhe ky Ramazan e zuri Prishtinën pa xhami qendrore

09:50 | 06 May 2019

Pavarësisht premtimeve të shumta, megjithatë Prishtina mbetët akoma pa xhami qendrore.

Iu gëzua ndërtimit të një xhamie në Afrikë. Bashkësia Islame e Kosovës, përmes një postimi në Facebook, njoftoi besimtarët myslimanë, se një xhami e madhe do të hapet në Kryeqytetin e Algjerisë.

Por, ndryshe nga kjo xhami, puna për të cilën po lavdërohet, po trajtohet ndërtimi i Xhamisë Qendrore në kryeqytetin e Kosovës.

Kanë kaluar 7 vjet, e krejt çka është punuar është gurthemeli.

Madje, ishte vet BIK-u i cili në vitin 2017 njoftoi opinionin se Komuna e Prishtinës ia ka dhënë kushtet ndërtimore për ndërtimin e kompleksit “Xhamia Qendrore” në Prishtinë.

Po në të njëjtin vit projekti i kësaj xhamie, ishte prezantuar në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ku mori miratimin e të gjitha subjekteve politike.

Pavarësisht insistimit dhe pritjes së televizionit, BIK-u nuk e ka parë të arsyeshme të jap ndonjë përgjigje për këtë çështje.

E nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, në një përgjigje për Gazetën Express, thotë se BIK-u ende nuk ka kërkuar leje për ndërtim.

Kurse qytetarët e Prishtinës, thonë që janë lodhur duke pritur ndërtimin e kësaj xhamie.

Ky objekt është paraparë të jetë nder më të mëdhenjtë të këtij lloji në Ballkan dhe financimi i tij është bërë nga Bashkësia Islame e Turqisë në një kosto nga 35 deri në 40 milionë euro.

Pavarësisht zvarritjes së fillimit të punimeve, xhamia e re në Prishtinë parashihet të ketë bibliotekë, sallë konferencash, pjesën e dyqaneve dhe dy kate të parkingjeve nëntokësore me 350 vendparkime, që mund të shfrytëzohen edhe nga qytetarët tjerë.

Komento: