Edhe në fazën e tretë ndërmarrjet do ta kenë të vështirë ta rimarrin veten

10:59 | 26 May 2020

Përfaqësuesit e bizneseve: Edhe në fazën e tretë ndërmarrjet do ta kenë të vështirë ta rimarrin veten.

Gastronomia, taksitë dhe transporti urban dhe ndërurban, janë disa nga llojet e bizneseve që do t’ju lejohet ushtrimi i aktiviteteve në fazën e tretë nga vendosja e masave të reja që nga përhapja e pandemisë së COVID-19 në Kosovë.

Lidhur me këtë, përfaqësues të bizneseve thonë se ndërmarrjet do ta kenë të vështirë ta rimarrin vetën edhe pas kësaj hapje.

Kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, për Telegrafin tha se bizneset nuk do janë në gjendje të veprojnë siç kanë qenë më herët.

Sipas tij, kjo do të ndodh për arsye se gjatë kësaj kohe të izolimit, bizneset kanë pësuar shumë humbje.

“Bizneset do të mundohen t’i mbijetojnë kësaj gjendje të rëndë, kur dihet se situata kur do të bëhet hapja, të hyrat do të janë shumë më të vogla për një kohë mjaftë të mirë. Hapja do të ndodhë, por bizneset nuk do janë në gjendje të veprojnë siç kanë qenë më herët, për arsye se biznesi gjatë kësaj kohe ka pasur shumë humbje dhe shteti shumë pak i ka dal në ndihmë biznesit. Humbjet më të mëdha do të janë për shkak të mungesës së mjeteve gjatë kësaj kohe dhe do të jetë e vështirë ta rimerr vetën”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se ndihma e shtetit karshi biznesit ka qenë e vogël.

“Në bazë të analizave të gjitha vendet tashmë kanë bërë hapjen e bizneseve edhe pak më herët se Kosova. Përkrahja e institucioneve deri më tani ka qenë mjaftë e vogël krahasuar me nevojat që kanë pasur bizneset dhe ka qenë shumë më pak se çdo vend i rajonit”, shtoi ai.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë për medie kishte prezantuar fazat lehtësuese dhe hapjen graduale të ekonomisë.

Ai kishte thënë se lehtësimi i masave është paraparë të bëhet në tri faza. E para do të nisë nga data 4 maj deri më 18 maj, faza e dytë do të jetë nga 18 maji, ndërsa faza e tretë nis nga 1 qershori deri në vendimin tjetër.

“Katër maji është dita kur do të fillojmë heqjen graduale drejt një realiteti të ri. Masat e reja do jenë në përputhje me normalitetin e ri”, kishte njoftuar Vitia, përcjell Telegrafi.

Edhe ministrja në detyrë të Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINIS), Rozeta Hajdari, kishte thënë se ekonomia do të hapet gradualisht.

“Synimi është që ta hapim ekonominë gradualisht, për shkak se jemi të vetëdijshëm se kemi humbje të mëdha ekonomike, duke filluar nga likuiditeti dhe humbja e kontratave të punëtorëve. Jam e vetëdijshme që shumë punëtorë kanë humbur vendet e punës në sektorin e gastronomisë, ndërtimtarisë, atë të tregtisë me pakicë që janë mbyllur. Tani jemi duke punuar edhe për pakon e dytë e fiskale. Jam shumë pozitive që për shumë humbje që kemi, kemi edhe shumë shpresë. Falënderojmë bizneset që kanë respektuar masat”, kishte thënë Hajdari, përcjell Telegrafi.

MEPTINIS kishte nxjerr urdhëresën për mbarëvajtjen e bizneseve gjatë periudhës së pandemisë, ku për ato biznese që kanë punuar ishte urdhëruar që të merren masat higjienike.

Po ashtu, me propozimin e Ministrisë së Financave dhe Transferëve, është miratuar Pakoja Emergjente Fiskale në vlerë prej 179.65 milionë euro për t’i ndihmuar bizneset dhe individët që ta tejkalojnë këtë kohë të pandemisë.

Autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik, me qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj sëmundjeje.

Aktualisht janë gjithsej 1,038 raste me COVID-19, me 792 të shëruar dhe 30 të vdekur.

Kjo është lista e plotë e aktiviteteve të bizneseve që do të hapen në fazën e tretë:

– Transporti urban dhe ndërurban

– Taksitë,

– Gastronomia në përgjithësi

– Qarkullimi i qytetarëve në bazë të situatës epidemiologjike,

– Provimet në arsimin e lartë

– Testi i maturës dhe arritshmërisë

– Hapja e kinemave dhe teatrove

– Hapja selektive e aktiviteteve sportive

Komento: