Për Luka Modricin mosha vazhdon të jetë vetëm numër. Ai e festoi të premten ditëlindjen e tij të 37-të.
Kroati edhe në sezonin e kaluar ishte sërish ndër futbollistët më të mirë te Real Madridi, teksa ndihmoi skuadrën në rrugën drejt titullit të kampionit në La Liga dhe në Ligën e Kampionëve.
Duke folur për “Diario AS”, Modricit iu bë pyetja e pashmangshme – cili është sekreti i tij?
“Gjithmonë më kërkojnë sekretin tim, por nuk di çfarë të të them. Është e natyrshme. Unë jetoj nga dhe për futbollin për 24 orë të ditës. Mendoj se është shumë e rëndësishme”, tha ai.
“Unë e dua atë që bëj dhe po kënaqem si kurrë më parë në profesionin tim, sepse e di që jam në një moshë të vështirë për një futbollist. Ndoshta kjo është arsyeja pse po e shijoj si kurrë më parë, sepse nuk e di se sa mund të qëndrosh në këtë nivel dhe në këtë klub, në të cilin kërkesat janë maksimale. Mundohem të shijoj seancat stërvitore dhe lojërat. E gjithë kjo ndihmon për të qenë i mirë në këtë moshë”, shtoi ish-mesfushori i Tottenhamit.
Real Madrid ka sjellë një numër të mesfushorëve gjatë dekadës së fundit, por asnjë nuk ka qenë në gjendje të “luftojë” me Modricin për një vend në formacionin bazë.
Duke vazhduar më tej, Modrici shpjegoi rutinën e tij të përditshme, përcjell Express.
“Sot për shembull kam ardhur një orë e një çerek përpara stërvitjes dhe pothuajse çdo ditë ha mëngjes këtu. Unë i bëj gjërat e mia me trajnerët në palestër në mënyrë që të dal për stërvitje i ngrohur. Më pas, në varësi të mënyrës sesi ndihem, qëndroj për të bërë gjërat trajnerët çfarëdo që të nevojitet. Më pas shkoj në shtëpi për të kaluar kohë me familjen dhe fëmijët. I marr nga shkolla pothuajse çdo ditë. Është pak e mërzitshme, apo jo?”, deklaroi kroati.
Luka Modric ka kontratë të vlefshme me Real Madridin deri më 30 qershor 2023.
Nga mediat spanjolle nuk kanë munguar raportimet se klubi po planifikon rinovimin e kontratës me mesfushorin, i cili mund të mbetet edhe për më gjatë në “Santiago Bernabeu”.