Edhe në rigjykim, deklarohen të pafajshëm Lavdim Krasniqi dhe dy të akuzuarat tjera

13:33 | 09 Janar 2024
edhe-ne-rigjykim,-deklarohen-te-pafajshem-lavdim-krasniqi-dhe-dy-te-akuzuarat-tjera

Në seancën e rigjykimit të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ish-drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi si dhe të akuzuarat Marigonë Berisha dhe Flora Doda, janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat për korrupsion e vepra tjera penale.

Deklarimin rreth fajësisë, tre të akuzuarit e dhanë pasi që aktakuza u konsiderua e lexuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Bashkë me ta në këtë rast, akuzohet edhe Ardian Krasniqi, për të cilin u veçua procedura, pasi që nuk ishte i pranishëm në këtë seancë.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Krasniqi, kryetari i trupit gjykues, Alban Ajvazi bëri të ditur se gjykata ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim, por që Policia e Kosovës ka njoftuar gjykatën se ai gjendet jashtë shtetit. Po ashtu, ai tha se për Krasniqin gjykata më 18 dhjetor 2023 kishte lëshuar edhe një urdhërarrest por që deri më tani nuk është realizuar.

Më pas, të gjitha palët mbetën në tërësi pranë fjalës hyrëse të dhënë në shqyrtimin paraprak, kurse seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit bashkëpunues Bashkim Mulolli, i cili po ashtu mbeti pranë deklaratave të dhëna më parë.

Ndërsa, është aprovuar edhe propozimi i prokurores Arbëresha Shala, që të konsiderohen të lexuara të gjitha deklaratat e dëshmitarëve.

Prokurorja Shala sipas rekomandimeve të Apelit, ka propozuar që lidhur me dispozitivin 5 të akuzës që lidhet me të akuzuarit Lavdim Krasniqi dhe Flora Doda, të caktohet një ekspert i cili do të japë rekomandimet lidhur me zhvillimin e procedurave të prokurimit që lidhen me dispozitivin 5 të aktakuzës.

“Në veçanti eksperti të shikojë dhe rekomandojë nëse malli i cili është pranuar, a është pranuar në pajtim me dispozitat ligjore dhe a ka qenë në rregull që ky mall të pranohet para se të lidhet dhe nënshkruhet kontrata pavarësisht faktit që në këtë procedurë të prokurimit sipas dosjes së këtij tenderi nuk ka pas palë ankuese”, ka thënë prokurorja Shala.

Ky propozim u kundërshtua nga mbrojtësi i të akuzuarit Lavdim Krasniqi, avokati Ramë Gashi, pasi që sipas tij nuk u dëgjua asnjë argument i cili do të vërtetonte se vërtetë ekzistojnë arsyet dhe është e drejtë që të angazhohet një ekspert për dispozitivin e 5 te aktakuzës.

Po ashtu, edhe mbrojtësi i të akuzuarës Doda, avokati Arlind Jupolli ka mbështetur në tërësi avokatin Gashi, duke konsideruar se dëshmitari i Prokurorisë në procedurën e mëparme në cilësinë e auditorit të brendshëm pranë kësaj gjykate ka deklaruar se e tërë procedura e prokurimit në këtë çështje ka shkuar sipas rregullave dhe ligjeve.

Por, ky propozim i prokurores, u aprovua nga gjykata, e cila po ashtu ka obliguar atë që në afat prej 3 ditësh me parashtresë ta njoftojë gjykatës lidhur me pyetjet dhe sqarimet që do të kërkohen nga eksperti i prokurimit.

“Nëse prokurorja nuk vepron në afatin gjyqësor të dhënë nga gjykata, do të konsiderohet që ka heq dorë nga angazhimi i ekspertit”, ka thënë gjykatësi Ajvazi.

Gjithashtu, është aprovuar edhe propozimi i prokurores Shala që në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet edhe dëshmitarit Alush Zariqi.

Po ashtu, gjykatësi Ajvazi bëri të ditur se gjykata sipas rekomandimeve te Apelit do ta ftojë në cilësi të dëshmitarit Fitim Arifin, pasi që i njëjti sipas pikës 6 të aktakuzës shumën prej 40 mijë euro e ka deponuar në xhirollogari të Lavdimi Krasniqit për shitje të banesës.

Ndryshe, në këtë seancë nuk ishte i pranishëm as mbrojtësi i të akuzuarës Berisha, avokati Fatlum Podvorica, i cili sipas gjykatësit Ajvazi, më 4 janar ka njoftuar gjykatën se nuk gjendet në Kosovës dhe meqenëse mbrojtja nuk është e detyruar, e njëjta u pajtua që seanca të vazhdojë pa mbrojtje.

Meqenëse nuk kishte dëshmitarë të tjerë, seanca e sotme u ndërpre.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 9 mars 2023 kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi, duke e dënuar me 6 muaj burgim dhe 8 mijë euro gjobë.

Ndërsa, Ardian Krasniqi ishte dënuar me dënim unik prej 4 vite e 8 muaj burgim dhe 6 mijë euro gjobë. Kurse e akuzuara Marigonë Berisha, u dënua me 5 mijë euro gjobë. Ndërsa, e akuzuara Flora Doda, ishte liruar nga akuzat.

Kundër këtij aktgjykimi ka bërë ankesë Prokuroria Themelore në Prishtinë për shkak të të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike vendimit mbi dënimin, konfiskimit dhe kërkesave pasurore-juridike.

Kurse, Prokuroria e Apelit ka kërkuar që kjo ankesë e Prokurorisë Themelore të aprovohet si e bazuar, ndërkaq aktgjykimi i ankimuar të anulohet dhe ndaj të akuzuarve lënda të kthehet në rigjykim dhe rivendosje. Ndërkaq, ka kërkuar që të refuzohen si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve.

Kurse, Gjykata e Apelit më 7 nëntor 2023 e ka kthyer në rigjykim këtë çështje penale.

Ndryshe, shqyrtimi fillestar në këtë rast është mbajtur më 6 tetor 2021, ku të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Ndërsa, Gjykata Themelore në Prishtinë më 25 nëntor 2021 kishte aprovuar pjesërisht kërkesat e mbrojtësve të akuzuarve Lavdim Krasniqi e Marigonë Berisha duke hudhur poshtë dy pika të aktakuzës ndaj Krasniqit me të cilat ngarkohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe Berishës për veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” si dhe ka shpallur të papranueshme si provë një CD dhe transkriptimin e saj.

Kurse, ajo ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Lavdim Krasniqit për hudhje të aktakuzës lidhur me veprën penale “Ushtrim ndikimi” dhe “Mosraportim ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Tutje, ka lënë në fuqi aktakuzën ndaj Ardian Krasniqit për veprat penale në vazhdimësi dhe bashkëkryerje “Ushtrim ndikimi”, veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” si dhe veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Për Marigonë Berishën, ka mbetur në fuqi pika e akuzës ku ngarkohet për “Falsifikim të dokumenteve”. Ndërsa, për Flora Dodën, vepra penale për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Mirëpo, Gjykata e Apelit më 4 shkurt 2022 ka ndryshuar vendimin e shkallës së parë, me ç’rast ka vendosur që Lavdim Krasniqi të gjykohet edhe për dy pikat e aktakuzës për korrupsion. Ndërsa, ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë që CD të shpallet si provë e papranueshme.

Sipas aktakuzës së ngritur më 13 gusht 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Lavdim Krasniqi në cilësinë e drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial (KPK) dhe Ardian Krasniqi në cilësinë e shoferit të tij personal, akuzohen se nga janari i vitit 2018 e deri në fund të vitit 2019, në bashkëkryerje, në vazhdimësi, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, kanë kërkuar dhe pranuar të holla dhe dhurata për vete dhe për tjetrin nga Bashkim Mulolli.

 

Komento: