Edhe një aderim në Vetëvendosje

18:31 | 27 August 2019

Hajrulla Çeku aderon në Vetëvendosje.

Ish-zëvendësministri në Shqipëri, Hajrulla Çeku, ka aderuar sot në Lëvizjen Vetëvendosje, raporton Gazeta Express.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një shkrimi në Facebook, kreu i VV-së, Albin Kurti.

“Hajrulla Çeku ka studiuar Shkencë Politike në Universitetin e Prishtinës dhe ka magjistruar në Qeverisje dhe Zhvillim Lokal në Universitetin e Trentos, Itali, dhe Universitetin e Regensburgut, Gjermani. Njihemi kaherë por tash do të punojmë bashkë në Lëvizje. Sot isha në Prizren ku na gëzoi e nderoi me anëtarësimin e tij në VETËVENDOSJE!”, ka shkruar ai,

Tutje, Kurti ka thënë se Çeku ka qenë i përfshirë edhe në shumë nisma qytetare.

“Për 15 vjet ka qenë pjesë e shoqërisë civile i angazhuar në çështje të trashëgimisë kulturore, turizmit, planifikimit urban dhe mjedisit. Hajrullau ka qenë i përfshirë në shumë nisma qytetare për mbrojtjen e strukturës urbane të qyteteve të Kosovës, si në Prishtinë, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Vushtrri dhe të tjera. Qasja komunitare dhe fuqizimi i grupeve të pambrojtura dhe pa zë kanë qenë shtylla të veprimtarisë së tij”, tha ai.

Kurti tha se me dijën, përvojën e kulturën e Çekut, Vetëvendosje është më e sigurtë dhe me e fuqishme.

“Me dijen e përvojën, kulturën e ndershmërinë e Hajrullaut jemi edhe më të sigurt, edhe më të fuqishëm. Më afër se kurrë, shpejt si asnjëherë, 6 tetorit 2019, kur zgjedhja dhe festa bëhen bashkë me emrin e Lëvizjes sonë, e me të ardhmen e vendit tone”, shtoi Kurti.

Komento: