Vendoset edhe një barrikadë e re rrugës për në Zveçan.
Policia ka bërë të ditur se është vendosur edhe një barrikadë e re rrugës për në Zveçan.
Kjo barrikatë është vendosur saktësisht në lagjen Berxhane, për të vazhduar pengimin e lirisë së lëvizjes së lirë edhe në rrugët alternative, e që sipas policisë, po vështirëson edhe më tej jetën e qytetarëve në veri të vendit.
“Gjatë natës ka vazhduar vendosja edhe e një barrikade të re, në lagjen Berxhane që shpie për në Zveçan, për të vazhduar pengimin e lirisë së lëvizjes së lirë edhe në rrugët alternative, e që po vështirëson edhe më tej jetën e qytetarëve në veri të vendit. Policia e Kosovës, sipas mandatit të saj ligjor e kushtetues po angazhohet në ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve dhe vendit”, thuhet në komunikatën e policisë.
Tutje, policia bën të ditur se vendosja e barrikadave po pamundëson hyrje-daljet në Jarinje dhe Bërnjak, përcjell Klankosova.tv.
“Që nga vendosja e barrikadave në veri të vendit, situata e sigurisë vazhdon të jetë e njëjtë, dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura, siç dihet tani më për shkak të vendosjes së barrikadave nga grupet kriminale. Vendosja e barrikadave vazhdon të cenojë lirinë e lëvizjes së lirë, e po ashtu të pamundësojë hyrje-daljet në dy pikat kufitare të qytetarëve dhe mallrave”, thuhet tutje në njoftimin e policisë.