Edhe një femër në mesin e të ftuarve nga Gjykata Speciale

23:52 | 09 January 2019

Gjykata Speciale ka bërë shumë ftesa për ish-ushtarët e Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës.

Deri tash ftesa për tu nisur për Hagë u ka shkuar disa komandantëve e ushtarëve të UÇK’së.

Një ftesë të tillë e ka marr edhe një femër. Ish-ushtarja e UÇK’së, Raimonda Rreci, ka treguar se ka marrë ftesë nga Haga.

“Njoftim Me siguri e keni kuptuar ne baze te reagimeve te mija megjithatë le te mbetet si njoftim ky shkrim. Qe nga fillimi i muajit Dhjetor edhe emri ime është i bashkangjitur ne listat e te ftuarve ne Gjykaten Specjale te Hages”, ka shkuar ajo në Facebook.

Deri tash janë konfirmuar ftesat për intervistim nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në kuadër të Gjykatës Speciale, për disa ish-komandantë dhe pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke përfshirë: Rrustem Mustafën, Sami Lushtakun, Sokol Dobrunën, Nazif Mehmetin, Remzi Shalën, Safet Sylën, Sylejman Selimin, etj.

Selimi do të intervistohet për krime lufte nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, për veprimtarinë e tij sa ishte figura kryesore në hierarkinë e kësaj lëvizjeje ushtarake për çlirimin e Kosovës, e krijuar në vitet ’90.

Thirrjen e Sylejman Selimit për në gjyq e ka konfirmuar ZPS-ja për Gazetën Express, javë më parë.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka autoritetin që, mes tjerash, ta kërkojë praninë e të dyshuarve, viktimave dhe dëshmitarëve dhe t’i marrë në pyetje ata, të mbledhë dhe të hulumtojë të dhëna dhe të marrë vendime për fillimin, vazhdimin ose përfundimin e hetimeve për rastet kriminale”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e ZPS’së për ftesën e ish-komandantit të përgjithshëm të UÇK-së, që pas lufte ishte edhe Komandat i Përgjithshëm i TMK-së dhe FSK-së.

Selimi, i njohur gjatë luftës me nofkën “Sulltani”, udhën për në të ashtuquajturën Gjykatë Speciale do ta marrë nga burgu i Dubravës, ku po vuan një dënim për krime lufte, të shqiptuar nga ndërkombëtarët në Kosovë.

Dënimi prej 7 vitesh burgim në një nga rastet e njohura si “Drenica” atij i është vërtetuar nga Gjykata Supreme e Kosovës, vetëm pak muaj më parë.

Ftesë nga Specialja, ka marrë edhe një tjetër ish i akuzuar në rastin “Drenica”, që për dallim nga Selimi, kishte dalë i pafajshëm gjatë gjykimit të tij në Kosovë.

Bëhet fjalë për Sami Lushtakun, ish-komandantin e Zonës Operative të Drenicës, që pas lufte u aktivizua në politikë duke u bërë shpejt figura kryesore e Partisë Demokratike të Kosovës.

Ish-kryetari i Skenderajt, para Hagës do të deklarohet më 14 janar të këtij viti. Të njëjtën ditë për atje do të udhëtojë edhe një tjetër ish-komandat i UÇK-së, ai i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa-Remi.

Ftesa për këtë të fundit ishte e para për të cilën raportoi Gazeta Express, në fillim të dhjetor të vitit 2018, se ka ardhur nga Tribunali Special.

Pak pas raportimit, thirrjen e Mustafës, e më vonë edhe të Lushtakut i kishte konfirmuar vetë avokati i tyre Arianit Koci përmes komunikatave për media.

Pas Remit, u bë e ditur se në Hagë, duhet të paraqitet edhe Nazif Mehmeti, që bashkë me Mustafën, kohë më parë janë dënuar për krime lufte në Kosovë.

Mehmeti, sipas avokatit të tij, do të merret në pyetje nga një prokuror i Specializuar i Hagës për tre ditë resht, më datat 22, 23 dhe 24 janar 2019.

Tri ditë, jo në Hagë, por në Prishtinë, Zyra e Prokurori të Specializuar për Kosovës e intervistoi edhe Sokol Dobrunen, ish-kryetarin e Gjykatës Ushtarake të UÇK-së.

Kjo ndodhi në dhjetor të vitit të shkuar, por pasi përfundoi intervistimin në Prishtinë, vetë Dobruna pohoi se në janar të këtij vitit do t’i duhet të udhëtojë edhe në Hagë, për t’i përsëritur ato që tha në Prishtinë.

I njëjti, bëri me dije se prokurorit që e intervistoi i interesonte të dinte për presidentin Hashim Thaçi, që gjatë luftës ishte udhëheqës politik i UÇK-së.

Emri i këtij të fundit, është më i lakuari në raportin hetimor të senatorit zviceran Dick Marty, në bazë të të cilit u krijua edhe Gjykata Speciale.

Një radio publike në Suedi, gjatë dhjetorit kishte raportuar, ish-drejtori i Drejtorisë Politike të UÇK-së mund të jetë një nga të ftuarit për intervistim nga Prokuroria e Gjykatës Speciale në Hagë.

Por, vetëm pak orë më pas, ky raportim u ndryshua, duke e hequr presidentin Thaçi nga artikulli.

E një ditë më vonë ZPS-ja tha diçka për këtë raportim. Përmes zëdhënësit të saj, kjo zyrë referoi Gazetën Express tek raporti i Dick Martyt, kur u pyeten nëse Hashim Thaçi është duke u hetuar apo do të instervistohet nga Specialja.

“Zyra e Prokurorit Special është duke e kryer hetimin më gjithëpërfshirës të mundshëm të të gjitha dyshimeve të përmendura në raportin për trajtim çnjerëzor dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë, të publikuar nga Këshillit të Evropian”, thuhet në përgjigjen e Christopher Bennett, më 17 Dhjetor 2018.

Ndërkohë, në Kosovë, gjatë dhjetorit të shkuar, për orë të tëra është intervistuar edhe ish-epror tjetër i UÇK-së, Safet Syla.

Ndërsa, për tu paraqitur në Hagë, më 14 janar është ftuar edhe, Sabahajdin Cena, Drejtor i Drejtorisë Publike Civile të Zonës Operative të Pashtrikut.

Ftesë Zyra e Prokurorit të Specializuar, i ka dërguar edhe Remzi Shalës nga Suhareka. I njohuri si “Komandat Molla e Kuqe” besohet të jetë arratisur nga Kosova, ndërkohë sa vetë ka konfirmuar se nuk e ka ndërmend që ti përgjigjet Gjykatës Speciale.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, e cila deri më tash nuk ka komentuar pothuajse asgjë gjë rreth ftesave dhe hetimeve që po kryen, thirrje për në Hagë i ka dërguar edhe një ish-komandati tjetër të njohur, nga rajoni i Drenicës.

I njëjti, siç ka raportuar Gazeta Express, është i dënuar në Kosovë për krime lufte, por që nuk është në vuajtje të dënimit. Më vonë, Televizioni 7 ka zbuluar se bëhet fjalë për Sabit Gecin.

Ftesat e para, që u dërguan gjatë fundit të nëntorit dhe në fillim të dhjetorit të vitit që sapo lamë pas, erdhën vetëm pak muaj pasi Prokurori i Specializuar, amerikani Jack Smith, erdhi në krye të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Këto ishin rezultatet e para konkrete për aktivizimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës qysh kur të njohura si Gjykata Speciale, janë votuar në Kuvend të Kosovës, në gusht të vitit 2015.

Përmes ligjit të veçantë, këto Dhoma të Specializuara dhe Prokurori Special u themeluan për të gjykuar disa krime të caktuara të kryera prej 1 janarit 1998 deri më 31 dhjetor 2000, brenda territorit të Kosovës.

Ato u krijuan si pasojë e një raporti të zviceranit Dick Marty, që e paraqiti para Këshillit të Evropës në janar të 2011.

Raporti përmban pretendime për krime të rënda, që supozohet t’i ketë kryer UÇK-ja gjatë dhe menjëherë pas luftës së fundit në Kosovës. Të njëjtat supozime u mbështeten edhe në një libër që e kishte shkruar ish-prokurorja e Tribunalit Special, Carla Del Ponte, tri vjet para se Marty ta hartonte raportin.

Hashim Thaçi është emri më i përmendur në këtë raport “për trajtim çnjerëzor dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovë”.

Ish-lideri politik i UÇK’së gjatë luftës, e shef i Qeverisë së Përkohshme menjëherë pas saj, përmendet 26 herë në këtë raport, mbi bazën e të cilës 16 vite më pas u themeluan të ashtuquajturat Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit tё Specializuar tё Kosovës, të njohura si Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë.

Në raport, përveç Hashim Thaçit, përmenden edhe ish-drejtuesit tjerë të UÇK-së, si: Kadri Veseli, Azem Syla, Fatmir Limaj , Xhavit Haliti, Shaip Muja e Ramush Haradinaj.

Gazeta Express më 11 dhjetor 2018 ka raportuar se Zyra e Prokurorit të Specializuar është duke hetuar edhe një rast për të cilin ka pasur një gjykim maratonik në Kosovë.

Për rastin në fjalë, një grup të dyshuarish për krime lufte, ishin liruar nga akuzat nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë. Madje, kjo gjë është vërtetuar deri në Gjykatën Supreme.

Komento: