Edhe një parti e re fillon procedurën e regjistrimit – Del në shqyrtim publik Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve

09:20 | 12 Mars 2026
edhe-nje-parti-e-re-fillon-proceduren-e-regjistrimit-–-del-ne-shqyrtim-publik-partia-socialdemokrate-e-ashkalinjve

Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve (PSA), që në zgjedhjet e fundit të 28 dhjetorit arriti të hyjë në Kuvend, ka filluar procedurën e zyrtarizimit për t’u regjistruar si parti politike. Aktualisht, numri i partive politike të regjistruar në Kosovë është: 52.

Sipas njoftimit të KQZ-së, “Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve” e ka kompletuar kërkesën për regjistrim dhe vendimi për regjistrim do të merret nga ky institucion “pas përfundimit të periudhës 7 ditore, gjatë të cils publiku mund t’i shqqyrtojë dokumentet e regjistrimit”.

Në njoftimin e publikuar nga KQZ, “sipas Rregullores Zgjedhore nr.01/2024 për Regjistrimin dhe Funksionimin e Partive Politike, neni 3, paragrafi 5, secili mund ta kundërshtojë kërkesën në bazë të një ose më shumë arsyeve të parashtruara në nenin 4 të po kësaj Rregulloreje, me dorëzimin e kundërshtimeve me shkrim në Zyrë së bashku me çfarëdo të dhëne apo materiali që mbështetë kundërshtimet brenda shtatë (7) nga shpallja e shqyrtimit publik”.

Të gjitha materialet e regjistrimit, duke përfshirë programin e partisë, statutin, dhe shenjën do të jenë në dispozicion për shikim dhe komente nga publiku. Promovimi i transparencës për procesin e regjistrimit të partive politike, është pjesë e procesit të KQZ-së.

Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike gjendet në Rr. Migjeni nr. 21 në Prishtinë. Secili që dëshiron t’i shikojë dokumentet mund të ketë qasje në ueb-faqen zyrtare të KQZ-së tek linku ngjarje dhe njoftime apo të vijë në Zyrë prej orës 10:00 – 14:00 gjatë ditëve të punës, nga data 9 deri më 15 mars 2026. Për informatë shtesë mund të kontaktoni Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike/Komisioni Qendror i Zgjedhjeve: +381 (0)38 200 81 010.

Statuti, programi dhe logo e subjektit politik, janë publikuar këtu: https://kqz-ks.org/regjistrimi-ei-nismes-qytetare-si-parti-politike-partia-socialdemokrate-e-ashkalinjve/

Komento: