Edhe Petar Petkoviqit i pengon deklarata e BE-së për ulje të tensioneve: Vetëm sa po i hedhin benzinë zjarrit

19:39 | 14 Gusht 2022

Pas Bërnabiqit, edhe Petkoviqit i pengon deklarata e BE-së për ulje të tensioneve: Vetëm sa po i hedhin benzinë zjarrit.

Drejtori i të ashtquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar ndaj thirrjeve që janë bërë nga Bashkimi Evropian që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga “retorikat nxitëse”.

Petkoviq ka vlerësuar se njoftimi i Shërbimit Evropian për politikë të Jashtme ka munguar plotësisht dhe sipas tij Serbia dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, gjithmonë kanë qenë të përkushtuar për dialog.

“Asnjëherë nuk është vënë në pikëpyetje vendosmëria e Beogradit dhe presidentit Aleksandër Vuçiq për dialog dhe zgjidhje të problemeve në Kosovë me mjete politike dhe paqësore”, ka thënë Petkoviq, shkruan Kosovo Online.

Ai ka thënë se me njoftime të tilla, BE-ja “vetëm sa po i hedhin benzinë zjarrit, duke inkurajuar Kurtin dhe duke inkurajuar përpjekjet e tij për të destabilizuar situatën në Kosovë në gjithë rajonin”.

“Ashtu si të dyja palët nuk janë përgjegjëse për faktin se Marrëveshja e Parë e Brukselit nuk u zbatua për gati një dekadë, ndonëse garantuesi i saj ishte BE-ja, as në këtë rast nuk mund të jenë përgjegjëse të dyja palët për serinë e provokimeve nga Prishtina dhe kërcënimet e Kurtit”, ka thënë Petkoviq teksa shtoi se “Kosova është dhunuesi, ndërsa Serbia viktima”.

Ndryshe, BE-ja ka bërë thirrje zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë që të ndalin menjëherë retorikat nxitëse.

Nga BE-ja është thënë se politikanët e të dyja palëve do të mbahen përgjegjës në rast të përshkallëzimit të tensioneve.

“Rritja e retorikës nxitëse së fundi mes zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht deklaratat për luftë dhe konflikt në Ballkan Perëndimor janë mjaft shqetësuese. Politikanë të lartë të dyja palëve do të mbahen përgjegjës për çdo përshkallëzim që çon në rritjen e tensioneve dhe potencialisht dhunë në rajon. Të dyja palët duhet t’i ndalin menjëherë armiqësitë e ndërsjella dhe deklaratat e rrezikshme dhe të veprojnë me përgjegjësi”, thuhet në komunikatë të BE-së.

Nga BE-ja thuhet se gjitha çështjet duhet të diskutohen në dialog, ndërsa ka thënë se pret që të gjitha marrëveshjet e kaluara të implementohen plotësisht.

Nga Bashkimi Evropian është shtuar se është në koordinim të ngushtë me KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht SHBA-në.

Komento: