Edhe Shoqata e Prokurorëve paralajmëron masa ndaj ligjit të pagave – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Edhe Shoqata e Prokurorëve paralajmëron masa ndaj ligjit të pagave

11:36 | 29 Janar 2019

Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ka mbajtur një mbledhje për të diskutuar për Projektligjin e pagave në sektorin publik dhe se në një njoftim për media, kjo shoqatë ka bërë të ditur që propozimet e dhëna deri tash janë në kundërshtim të plotë me Kushtetutën, Kartën evropiane për gjyqtarët e prokurorët dhe se nëse nuk ndërmerret diçka për ta mbajtur sistemin aktual të pagave, kjo shoqatë do të marrë masa të tjera.

“Ky kategorizim nivelesh të pagave është në kundërshtim me parimin kushtetues të barazisë së pushteteve, e drejtë kjo, të cilën e garanton në mënyrë eksplicite Kushtetuta e Kosovës. Sipas këtij propozimi, del se pagat e prokurorëve të shtetit zvogëlohen pothuajse 100% në krahasim me të tanishmet, gjë që është në kundërshtim, përveç të tjerave, edhe me Ligjin për Prokurorin e Shtetit, në të cilin thuhet shprehimisht se ‘paga e prokurorit të shtetit mund të zvogëlohet vetëm me masë disiplinore’, si dhe është edhe në kundërshtim të haptë edhe me Kartën evropiane për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, thuhet në reagimin e kësaj shoqate, raporton Koha.net.

Shoqata e Prokurorëve të Kosovës konstaton me këtë rast se ky propozim, i cili nëse miratohet çon gjer te ulja e pagave të prokurorëve, kurse Kryeprokurori i Shtetit në radhën e koeficienteve renditet në vendin e 14-të, “është jashtëzakonisht denigrues dhe nënçmues për sistemin prokurorial, në kohën kur si shtet synojmë plotësimin e standardeve dhe kritereve për t’u anëtarësuar në BE dhe fuqizimin e sistemit prokurorial në luftë kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe dukurive të tjera kriminale”.
“Gjithashtu vlerësojmë qartazi se ky sistem i propozuar për pagat e prokurorëve është demotivim për punën tonë dhe degradim i sistemit prokurorial në përgjithësi”, deklaron SHPK.

Shoqata e Prokurorëve të Kosovës u ka bërë apel Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, komisioneve përkatëse parlamentare, deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe Kryeministrit, që “para të se të miratohet Projektligji për pagat, të shqyrtojnë edhe njëherë seriozisht gjetjen e mundësisë për ruajtjen e sistemit të tashëm të pagave, përndryshe do të jemi të detyruar që të drejtën tonë ligjore dhe kushtetuese ta kërkojmë në forma tjera”.

Komento: