Shqipëria dënon njohjen e pavarësisë nga Rusia të rajoneve lindore të Ukrainës.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe ministrja e jashtme, Olta Xhaçka kanë dënuar njohjen nga Rusia të pavarësisë së rajoneve separatiste të Ukrainës Lindore të Donetskut dhe Luhanskut.
Meta ka shkruar se ky akt unilateral është një shkelje e rëndë e ligjit ndërkombëtar, e marrëveshjes së Minskut, si dhe minon integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës!
“Shqipëria qëndron e bashkuar me partnerët dhe aleatët në mbështetje të Ukrainës”, ka shkruar ai.
Kurse, ministrja Xhaçka ka shkruar se Shqipëria dënon njohjen e pavarësisë nga Rusia, të rajoneve lindore të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk.
“Kjo është një shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar, e marrëveshjes së Minskut si dhe cënim i integritetit territorial dhe pavarësisë së Ukrainës. Shqipëria qëndron krah aleatëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, në mbështetje të Ukrainës”, ka shkruar ajo.