Vajzat e dajave të kryeministrit dhe anëtarja e AAK-së ‘rehatohen’ në institucione publike.
Vajza e dajës së kryeministrit, Ramush Haradinaj, Ekzotina Brahimaj, në korrik të këtij viti i bën një vit punë në Ministrinë e Zhvillimit Rural. Pozita e saj është zyrtare e prokurimit.
Vendimi për punësimin e saj është marrë më datë 16 korrik 2018, gati një vit pasi familjari i saj, Ramush Haradinaj ka marrë votat e deputetëve për të qeverisur me Kosovën, shkruan sot Koha Ditore.
Ministria e Zhvillimit Rural udhëhiqet nga përfaqësuesi i minoriteteve joserbe, Rasim Demiri.
Megjithëse ministri nuk vjen nga partia e Ramush Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, familjarë të Haradinajt, familjarë të stafit të Haradinajt, asamblistë e militantë të kësaj partie kanë arritur që për një vit të zënë nga një vend pune në këtë ministri.
Në një tjetër pozitë publike është punësuar edhe e afërmja e Ekzotinës, Lirjeta Brahimaj, po ashtu vajzë e dajës tjetër të kryeministrit. Ajo është punësuar në “Telekom”.
Të tjerë njerëz të afërt me AAK-në gjatë këtij viti janë bërë pjesë e Ministrisë së Zhvillimit Rural.
Një nga kandidatet e pakta për kryetare të komunave në zgjedhjet e fundit ishte Arta Ahmeti-Xhylani. Ajo ishte kandidate e AAK-së për kryetare të Drenasit. Në shtator të vitit 2018 ajo është përzgjedhur drejtoreshë e Departamentit për Integrime Evropiane dhe Koordinim në këtë ministri.