Edi Rama e Ilir Meta ‘detyrohen’ të shtrëngojnë duart në Prishtinë, para diplomatit amerikan Palmer.
Situata e ndezur politike në Shqipëri dhe acarimi i marrëdhënieve mes mazhorancës dhe Presidentit Meta, është menaxhuar nga protagonistët e saj, të cilët kanë evituar të shfaqin publikisht në Prishtinë dallimet mes tyre.
Presidenti Meta dhe Kryeministri Rama shtrënguan duart me njëri-tjetrin, në momentin që kreu i qeverisë mbërriti në aktivitetin me rastin e 20-vjetorit të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Kosovë.
Pak para se të mbërrite Rama, Presidenti Meta po bisedonte me zv/ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, i cili ka qenë një nga zërat më të fortë ndërkombëtarë, për sa i përket krizës politike në Shqipëri.
Shfuqizimi i datës se zgjedhjeve nga Presidenti u komentua nga mazhoranca si zbritje e tij në fushën e betejës politike dhe bërje palë me opozitën.
Mbetet për t’u parë nëse prezenca e të treve sot në Prishtinë, do të shfrytëzohet për një negociatë nën drejtimin e amerikanëve, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për krizën politike në Shqipëri. /a2news