Edi Rama flet për mungesa e Kosovës dhe Malit të Zi në Novi Sad, Rama: I presim në takimin tjetër

13:19 | 10 Tetor 2019

Mungesa e Kosovës dhe Malit të Zi në Novi Sad, Rama: I presim në takimin tjetër.

Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina nuk ju bashkuan takimit të Novi Sadit, në të cilin morën pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, që synon krijimin e një “Shengeni Ballkanik”.

Në konferencën e përbashkët me Aleksandar Vuçiqin dhe Zoran Zaevin, kryeministri shqiptar Edi Rama tha se të trija shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë të mirëpritura në takimin e radhës që do të zhvillohet më 10 nëntor në Ohër.

“Nuk janë absolutisht as të përjashtuar dhe as të vendosur në një korsi tjetër. Janë të mirëpritur qysh në takimin tjetër që të na bashkohen dhe ne jemi në dispozicion. Kam dëgjuar shumë kritika të cilat nuk sjellin alternativa, por nisen nga ‘status quo’-ja dhe nga e shkuara”.

Duke iu referuar ekonomisë, Rama theksoi se “ne nuk mund të mbyllim sytë përpara shifrave”, shkruan Top Channel.

“Kemi angazhuar një grup me ekspertë të vendeve tona, edhe me një ekspertizë ndërkombëtare. Në takimin e Ohrit do të jemi në gjendje të tregojmë më konkretisht se çfarë të mirash ka ky proces. Nuk ka asgjë në këtë proces që është e panjohur dhe e pa miratuar nga të gjithë vendet e rajonit gjatë Procesit të Berlinit”.

“Ka vetëm një gjë të re vullneti për të shtyrë përpara atë që kemi parë në letër. Nuk do presim që ta bëjnë të tjerët për ne dhe nuk do të presim dakordësinë e të tjerëve. Ne nuk mund të marrim investime të mëdha të huaja sepse jemi shumë të vegjël dhe shumë të mbyllur. 2021 është objektivi ynë për të garantuar që ky rajon të jetë i hapur. Edhe ky proces do të lehtësojë zgjidhjen e çështjeve të hapura”.

Pas takimit të 10 nëntorit në Ohër, Shqipëria do të jetë vendi i radhës ku do të mblidhen liderët e tre vendeve.

Komento: