Edi Rama mbërrin në Beograd

18:27 | 03 November 2021

Edi Rama ka mbërritur në Serbi.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sapo ka mbërritur në Beograd me një aeroplan të “Air Albania”.

Për mbërritjen e Ramës në kryeqytetin serb njoftoi Endri Fuga, drejtor i komunikimit në Qeverinë e Shqipërisë.

Rama nesër pritet të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov.
Takimit të tre liderëve në kuadër të iniciativës “Ballkani i Hapur” do t’i paraprijë një takim me përfaqësues të kompanive nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, si dhe me përfaqësues të Këshillit Atlantik.

Pas bisedimeve do të vijojë një konferencë e përbashkët për shtyp e Ramës, Vuçiqit dhe Dimitrovit.

Paraprakisht, zëvendëskryeministri maqedonas, Dimitrov është pritur në aeroportin e Beogradit, “Nikola Tesla” nga ministrja serbe për Integrime Evropiane, Jadranka Joksimoviq.

Në një prononcim për Tanjug pas uljes në aeroportin e Beogradit, Dimitrov tha se Maqedonia e Veriut, përkundër dorëheqjes së kryeministrit Zoran Zaev pas zgjedhjeve lokale, është plotësisht e përkushtuar ndaj iniciativës “Ballkani i Hapur”.

“Po vij në kohën kur siç e dini kanë përfunduar zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, të cilat kanë lënë pasoja, madje në një farë mënyre krizë politike. Është e rëndësishme që ne si shtet të dërgojmë një sinjal si shtet dhe qeveria, plotësisht të përkushtuar ndaj iniciativës që lindi në Ballkan dhe që synon mbi të gjitha Ballkanin Evropian”, tha Dimitrov.

Nënkryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Muhamed Zekiri, deklaroi sot se koha do të tregojë nëse iniciativa e “Ballkanit të Hapur” do të rrezikohet pas dorëheqjes së kryeministrit Zoran Zaev.

“Në vend të kryeministrit Zaev, sot në Beograd Maqedoninë e përfaqëson zëvendëskryeministri Nikolla Dimitrov. Këtë iniciativë e kanë nisur tre liderë (Aleksandar Vuçiq. Edi Rama, Zoran Zaev). Koha do të tregojë se sa do të rrezikohet, por të gjithë e dinë se çfarë do të thotë dorëheqja e z. Zaev”, tha ai.

Komento: