Edi Rama nga Brukseli: Serbia duhet të njohë Kosovën

14:04 | 03 Nëntor 2026

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nga Brukseli ka deklaruar se Serbia duhet të njohë Kosovën.

Këtë koment, shefi i qeverisë shqiptare e dha në një intervistë për Euronews Enlargement Summit, ku foli për rrugëtimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian.

Ai theksoi se, ndonëse integrimi i Serbisë në BE është i rëndësishëm për stabilitetin e rajonit, Beogradi zyrtar duhet të tregojë rezultate konkrete, të përmbushë kushtet e panegociueshme, si dhe të njohë Republikën e Kosovës.

“Ajo çfarë di është që fituesi në Beograd nuk tregon hapjen për mua dhe shqiptarët, që është njohja e çështjes së Kosovës. Kjo nënkupton që muzika në Beograd nuk do të ndryshojë.

Jemi pjesë e një rajoni që ende nuk është plotësisht anëtar i BE-së dhe ne jemi ata që dëgjojmë leksione, nuk japim leksione, por Serbia është një pjesë e rëndësishme e mozaikut të Ballkanit Perëndimor.Kam qenë avokat që nuk duhet ta lëmë Serbinë të shkojë në drejtimin e gabuar dhe të braktisë projektin evropian. Nga ana tjetër, e dimë si shkojnë gjërat.

Kur bëhet fjalë për aspekte të caktuara, Serbia ka dëshmuar një hezitim ndaj Kosovës, por edhe për qëndrimin që mban karshi Rusisë dhe sanksioneve.Na duhet Serbia të jetë me ne, të jetë pjesë e fqinjësisë dhe të jetë pjesë e plotë e BE-së, por duhet të tregojë rezultate dhe ta meritojë këtë përkatësi, duke realizuar atë që është e panegociueshme me BE-në”, u shpreh Rama.

Komento: