Kryeministri Edi Rama ka publikuar foto ku shfaqet së bashku me liderët e Ballkanit Perëndimor në New York ku do të marrin pjesë në sesionin e 77 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
“Me liderët e Ballkanit Perëndimor, ftuar nga Përfaqësuesi i Lartë i BE për Politikën e Jashtme dhe Zv/President i Komisionit Europian, Joseph Borrel”, shkruan Rama.
Liderët e Ballkanit Përendimor u takuan sot në New York me Shefin e Diplomacisë Europiane, Josep Borrell në kuadër të veprimeve të koordinuara nga SHBA dhe BE-ja për të zgjidhur problemet që kanë mbetur në Ballkanin Perëndimor kryesisht për arritjen e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi si dhe konfliktin e ndezur në Bosnjë Hercegovinë.
Në një njoftim të Brukselit thuhej se është kthyer në një traditë ky takim në këtë javë të shtatorit kur në New York zhvillohet seanca vjetore e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Shqipërinë e përfaqësoi kryeministri Rama ndërsa Kosovën në javën e takimeve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York e përfaqësoi presidentja, Vjosa Osmani.
Po ashtu në muajt në vijim do të zhvillohet edhe një takim trans-atlantik në nivel të ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, të cilin takim do ta organizojë Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Ky takim do të zhvillohet më 20 tetor.