Edi Rama ende nuk e ka thënë asnjë fjalë për dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit pasi mori ftesë nga Gjykata Speciale në Hagë.
Meta, Majko, Basha e Berisha e vlerësojnë lart aktin e dorëheqjes së Haradinajt, Rama hesht
Dorëheqja e papritur e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, pas ftesës nga Gjykata Speciale, ka shkaktuar reagime edhe në Tiranë. I pari që ka reaguar ka qenë ish-kryeministri gjatë luftës së Kosovës dhe ministër i Diasporës në Qeverinë Rama, Pandeli Majko, pasuar nga lideri i opozitës, Lulzim Basha, presidenti Ilir Meta, ish-kryeministri Sali Berisha e të tjerë.
As mbrëmë e as sot, nuk ka asnjë reagim nga kryeministri Edi Rama. Megjithatë, ministri i Diasporës, Majko, në emër të Qeverisë shqiptare e ka cilësuar veprimin e Haradinajt si aktin e një burri shteti që i shërben Kosovës. Sipas tij, Ramushi di të bëjë dallimin e fatit të tij personal me atë të sigurisë kombëtare. “Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryeministrit si një burrë shteti. Ai kreu një akt që i bën nder Kosovës shtet, që drejtohet nga shtetarë të cilët bëjnë dallimin e fatit personal me atë të sigurisë kombëtare. Veprat e një njeriu vlejnë më shumë se dobësitë e tij. Sot jam me Ramushin! Të falënderoj komandant për shembullin e luftës, dhe sot në atë të paqes”, shkruhet në reagimin e Pandeli Majkos në rrjetet sociale.
Dorëheqja e parevokueshme e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, pasditen e së premtes ka sjellë në mbrëmje vonë edhe reagimin e presidentit Ilir Meta. Në një reagim në Facebook, Meta është shprehur i bindur për pafajësinë e Haradinajt, ndërsa thekson se nuk ka presion që e thyen Burrin e Shtetit dhe Heroin e Kombit. “Krenar për Ramush Haradinajn dhe i bindur në pafajësinë e tij! Nuk ka pabesi dhe presion që e thyen Burrin e Shtetit dhe Heroin e Kombit!Nga sot të gjithë duhet të flemë më pak, të shqetësohemi më shumë dhe të bashkohemi më fort që Kosova dhe rajoni ynë të jenë të pacenuar në paqen dhe sigurinë tonë, si dhe në të ardhmen evropiane”, shkruan presidenti Ilir Meta.
Pas Pandeli Majkos, i dyti që ka reaguar ka qenë kryeopozitari Lulzim Basha. Kryetari i PD-së, Basha, e konsideroi vendimin e Haradinajt si akti i një njeriu që vë atdheun mbi gjithçka.
“Dorëheqja e kryeministrit Ramush Haradinaj është akti i një njeriu që vë atdheun mbi gjithçka. Ramushi i ka shërbyer gjithmonë me vetëmohim Kosovës, në ditë të mira dhe në ditë të këqija. Ramush Haradinaj është Kosova, Kosova e lirë, Kosova e pavarur, Kosova evropiane. Askush dhe asgjë nuk e përdhos dot luftën çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën sublime të familjes Haradinaj në altarin e lirisë!”, theksoi Lulzim Basha.
Ish-kryeministri Sali Berisha pasi vlerëson aktin e Haradinajt si prej shtetari dinjitoz, u bën thirrje forcave politike në Kosovë, qytetarëve të saj dhe mbarë kombit shqiptar të kundërshtojnë me vendosmëri të palëkundur të gjitha përpjekjet dhe prapaskenat për ndarjen dhe copëtimin e Kosovës. Në një postim në Facebook, Berisha shpreh vlerësimin për vendimin e Haradinajt.
“Komandanti trim që luftoi me heroizëm kundër pushtuesve dhe ndihmoi dhe shpëtoi qindra familje shqiptare nga barbarit serbe gjatë luftës, shtetar me integritet dhe kryeministër efiçent e atdhetar i flaktë, Ramushi kundërshtoi me guxim të madh projektin e Serbisë së Madhe të Vuçiçit, Zografit Bis, Miladinit shqipfolës dhe Baton Stanishiqit, për çka dhe fitoi admirimin, mbështetjen e madhe të qytetarëve të Kosovës dhe mbarë kombit shqiptar. Me këtë rast unë shpreh nderimin tim te palëkundur për veprën dhe aktin e tij burrëror të Ramush Haradinajt dhe besimin e palëkundur në drejtësinë ndërkombëtare, e cila e ka shpallur atë dy herë të pafajshëm. Unë gjithashtu iu bëj thirrje forcave politike në Kosovë, qytetarëve të saj dhe mbarë kombit shqiptar të kundërshtojnë me vendosmëri të palëkundur të gjitha përpjekjet, prapaskenat për ndarjen dhe copëtimin e Kosovës të projektit të Serbisë së Madhe të Vuçiqit, argatëve të tij shqipfolës, albanofobë, Zografit Bis, Miladinit shqipfolës Baton Stanishiqit, që festojnë sonte dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj dhe thirrjen e tij nga Gjykata e Hagës”, shkruan veç tjerash Sali Berisha në reagimin e tij.