Rama thotë se “Open Balkans” nuk sjell probleme në marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se nisma “Open Balkans” nuk është arsye për të pasur probleme mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke theksuar se dy vendet kanë marrëdhënie normale.
Rama ka përmendur edhe dallimet në qasje drejt iniciativës “Open Balkans”, derisa ka shtuar se Kosova dhe Shqipëria kanë “potencial të jashtëzakonshëm” të përmirësojnë marrëdhëniet përherë.
“Nuk mendoj që marrëdhëniet me qeverinë e Kosovës janë në një pikë të ulët. Mendoj që ne jemi në një marrëdhënie normale. Natyrisht që marrëdhënia mes qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës ka një potencial të jashtëzakonshëm dhe asnjëherë nuk është mjaft të thuhet që është e mirë, pasi mund të jetë gjithmonë më e mirë. Patjetër që kemi një divergjencë lidhur me nismën e Ballkanit të Hapur, por kjo është një divergjencë që, në këndvështrimin tim, nuk është një arsye për të pasur problem në marrëdhënie, por është një arsye për të diskutuar qetësisht dhe për ta trajtuar me argumente dhe me respekt reciprok”, ka deklaruar Rama për Zërin e Amerikës.
Deklarimi i tij vijon pas paralajmërimit për vizitë në Kosovë të hënën, pas kthimit në SHBA ditën e hënë. Rama përgjatë Asamblesë së OKB’së në SHBA, ka kërkuar që Kosovës t’i njihet sovraniteti nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Nisma për “Open Balkans” nga disa prej shteteve të Ballkanit Perëndimor, e përkrahur edhe prej Shqipërisë, nuk është pritur mirë në Kosovë.
Atë e kanë kundërshtuar kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, si dhe presidentja Vjosa Osmani, të cilët e kanë parë anëtarësimin në BE si të vetmen rrugë që duhet ta ndjekë Kosova.