Edi Rama: Unë dhe Vuçiqi kemi pikëpamje krejtësisht të ndryshme për çështjen e Kosovës

19:28 | 28 January 2023

Edi Rama deklaroi se ka pikëpamje krejtësisht të ndryshme me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq për çështjen e Kosovës.

“Presidenti Vuçiq dhe unë kemi gjithmonë qëndrime shumë të forta, pikëpamje krejtësisht të ndryshme për çështjen e Kosovës, të cilën ai e quan Kosovë dhe Metohi. Për mua Kosova është shtet i lirë, demokratik, sovran. Mendoj se ndërkohë gjërat po përparojnë, gjërat po ndryshojnë. Gjërat po ecin në drejtimin e duhur. Ngadalë, por po ecin”.

“Dikur nuk kemi pasur komunikim dhe ishte e pamundur të imagjinohej që serbët dhe shqiptarët mund të ishin në të njëjtën tavolinë. Pra, do të duhet kohë, do të duhet kohë, por kjo është në rregull”, tha Rama për televizionin malazez, “A plus”.

Kryeministri shqiptar foli edhe për deklaratën e presidentit Vuçiq në Forumin Ekonomik Botëror të mbajtur së fundmi në Davos.

“E lexova deklaratën e fundit të Presidentit Vuçiq nga Davosi dhe mendoj se ishte mjaft e respektueshme duke pasur parasysh mënyrën se si ai shprehu nevojën për të ecur përpara. Sigurisht, në mënyrën e tij karakteristike shumë të veçantë të komunikimit, por shprehu respekt”, komentoi Rama.

Sa i përket faktit që ka raporte të mira edhe me Vuçiqin edhe me Kurtin, përkundër marrëdhënieve të tensionuara reciproke, Rama tha se mes presidentit të Serbisë dhe kryeministrit të Kosovës ka shumë sulme.

“Dhe njerëzit më pyesin se si është e mundur kjo, por imagjinoni sikur të gjithë të shikonin bardhë e zi dhe të gjithë të mbanin pozicionet e tyre dhe askush të mos fliste me askënd. Gjërat nuk do të përmirësoheshin. Kështu që është gjithmonë më mirë të flisni me njerëz, përpiquni të kuptoni arsyet, paraqitni argumentet tuaja”, përfundoi Rama.

Komento: