Edita Tahiri thotë se Mogherini po i shërben Serbisë

17:06 | 05 February 2019

Ish-ministrja për Dialog Edita Tahiri ka thënë se përfaqësuesja e BE-së, federica Mogherini po i shërben Serbisë.

Ish-kryenegociatorja në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, e ka kundërshtuar fuqishëm deklaratën e zëdhënëses së BE-së,

Maja Kocijançiq që në dialogun final mes Kosovës dhe Serbisë të futet edhe Trepça.

“E kundërshtoj fuqishëm këtë deklaratë skandaloze dhe luftë nxitëse nga ana e Zyrës së Mogherinit, që tregon se zonja Mogherini ka marrë anën e Serbisë, duke dhe humbur besueshmërinë për të qenë ndërmjetësuese të paanshëm i Dialogut të Brukselit. Ky nuk është qëndrim i BE-së, por vetëm i disa zyrtareve që janë në rrugë të gabueshme”, citohet të ketë thënë ish-kryenegociatorja.

Ajo ka shtuar se Mogerhini nuk po i shërben BE-së.

“Mendoj se pyetja hipotetike duhet kujt po i shërben Mogherini, sepse është e qartë se nuk po i shërben BE dhe as nuk po i mbron parimet e BE për Ballkanin Perëndimor ku 6 shtete përfshirë këtu dhe Kosovën janë në rrugën e Integrimit Evropian”, ka thënë Tahiri.

Edita Tahiri ka shtuar se është alarmante që zyra e Mogerhinit nuk respekton qëndrimet e shteteve që e kanë njohur Kosovën.

“Nuk duhet të harrojnë as Mogherini as Kocijançiq se 23 vende anëtare të Bashkimit Evropian kanë njohur shtetin e Kosovës, ndërsa vetëm 5 nuk e kanë njohur. Është alarmante që zyra e Mogherinit nuk respekton qëndrimet e shteteve liderë të Evropës, si Gjermania, Franca, Britania që kanë shprehur qëndrim të prerë kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës në raport me Serbinë”, tha ajo për Kallxo com.

Komento: