Edita Tahiri thotë se taksa vret idenë djallëzore të ndryshimit të kufijve.
Ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri, beson se tani nuk është koha e duhur për vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ajo ka thënë se për marrëveshjen përfundimtare ndërmjet dy shteteve duhet pritur udhëheqjen e re të Bashkimit Evropian (BE).
Sipas saj, shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, ka tradhtuar parimet evropiane.
Ish-ministrja Tahiri ka thënë se taksa 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë tani është mekanizmi i vetëm që ndal idenë e ndryshimit të kufijve.
“Taksa momentalisht është mekanizmi i vetëm që ndal idenë e ndryshimit të kufijve. Me fjalë të tjera, i mbron kufijtë e shtetit të Kosovës sepse, siç e pamë të gjithë, Kuvendi i Kosovës dështoi që të krijojë një qëndrim të unifikuar të spektrit politik në një platformë. Pra, platforma u votua vetëm nga subjektet politike që janë në pushtet dhe PSD-ja”, është shprehur Tahiri.
Ajo u ka bërë thirrje partive politike që të bëhen bashkë për mbrojtje të interesit kombëtar të shtetit të Kosovës, në këtë rast të mbrojtjes së kufijve.