Edona Llalloshi reagon e revoltuar: E habitshme se si elita u shndërrua në tufë dembelësh me diploma e doktorata

18:20 | 06 Maj 2026
edona-llalloshi-reagon-e-revoltuar:-e-habitshme-se-si-elita-u-shnderrua-ne-tufe-dembelesh-me-diploma-e-doktorata

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Edona Llalloshi ka reaguar me një status të gjatë në Facebook e Instagram, ku ka kritikuar ashpër disa figura publike dhe intelektuale, duke i akuzuar për hipokrizi, sulme dhe mungesë të punës konkrete.

Në shkrimin e saj, të titulluar “Ironi akademike”, Llalloshi shprehet se në ditët e fundit disa politikanë dhe “intelektualë” me diploma e tituj të ndryshëm po përpiqen, sipas saj, “t’ia rrisin vetes vlerën” duke sulmuar e përgojuar të tjerët, madje duke dalë edhe si kampionë të “barazisë gjinore”. Ajo ironizon se këta persona, duke u thirrur në tradita që i lidhin me Rugovën dhe Demaçin, kërkojnë votën e qytetarëve për “mençurinë” e tyre, me arsyetimin se është “gjynah” ta mbajnë vetëm për vete.

Llalloshi nuk kursen as kritikat për ish-zyrtarët që, sipas saj, në CV kanë lënë “pallate kulture” dhe projekte të mëdha në letër, por pa ndikim real në jetën e përditshme të qytetarëve. Ajo thekson se hallet e njerëzve nuk u bëjnë përshtypje, ndërsa ata, siç shkruan, garojnë se kush e jep më “shijshëm” aromën e “realizmit”, duke e kthyer debatin publik në një lojë fjalësh dhe vetëpromovimi.

Në një nga pjesët më të forta të statusit, ish-deputetja shprehet se “elita” është shndërruar në “një tufë dembelësh me diploma e doktorata”, që prodhojnë më shumë vajtime e fyerje sesa vlera. Ajo shton se qytetarët, pavarësisht kësaj, ftohen t’i votojnë këta “magjistarë”, duke ironizuar se kush nuk do një udhëheqës apo profesor që të ngarkon me “ide të mëdha”, por të trajton me “butësinë e mushkës së mullixhiut”.

Në vijim, Llalloshi kritikon edhe gjuhën që përdoret në diskursin publik, duke thënë se këta “akademikë e profesorë”, sipas saj, e kanë bërë zakon që për t’i dhënë “shije ditës” të fyejnë e të nënçmojnë gratë. Ajo argumenton se kur nuk ke çfarë të thuash me peshë, “gjithmonë të mbetet t’i ulësh të tjerët për t’u dukur vetë më i lartë”.

Në fund, Llalloshi e mbyll statusin me urimin: “Zoti e bekoftë Kosovën dhe miqtë e saj!”. /Telegrafi/

Postimi i plotë: https://www.instagram.com/p/DYAC9AGjMes/?utm_source=ig_embed&ig_rid=de69b50e-e7c6-4580-ab37-38e6018974ae

Komento: