Edward Joseph: Këto 4 shtete të NATO-s mund t’i japin fund trazirave në veriun e Kosovës

10:02 | 28 Maj 2023

Joseph: Kriza në veri e Ballkan përfundon kur katër shtetet e NATO-s e njohin Kosovën.

Njohësi i Ballkanit, Edward P. Joseph, ka thënë se gjithë rrëmuja e Ballkanit dhe krizat në veri, mund të përfundojnë kur katër vendet e NATO-s e njohin Kosovën si shtet.

Joseph në një intervistë për Al Jazeera ka thënë se Ukraina mund të jetë katalizator në arritjen e këtij përfundimi.

Ai gjithashtu potencoi se po ta njihte Kosovën si shtet, Spanja, Sllovakia, Greqia dhe Rumania, rajoni i Ballkanit do të transformohej.

“E gjithë rrëmuja e Ballkanit, përfshirë krizat e njëpasnjëshme në veri të Kosovës, përfundon kur 4 vende të NATO-s njohin Kosovën. Ukraina mund të jetë katalizator”.

“Arsyeja është se pesë shtete të BE-së, pra katër vende që janë anëtare të NATO-s sepse Qipro nuk është, nuk e njohin Kosovën. Kjo është arsyeja e qëndrimit të butë, dhe nëse po pyesni se pse Ballkani i ka ende gjithë këto probleme me Kosovën, Republikën Srpska dhe tani me Malin e Zi, kjo është arsyeja, sepse edhe nëse katër nga këto pesë vende, nëse Qiproja përjashtohet, njohin Kosovën, dhe këto janë Spanja, Sllovakia, Greqia dhe Rumania, nëse vetëm ato vende do ta bënin këtë, rajoni do të transformohej”, ka theksuar Joseph në një intervistë për Al Jazeera.

Profesori amerikan shtoi se po të anëtarësohej Kosova në NATO, Serbia nuk do të mund ta bllokonte.

“Pse? Sepse atëherë Kosova mund të anëtarësohej në NATO dhe Serbia nuk mund ta bllokonte. Papritur, kjo veto ruse dhe kineze në OKB do të ishte e parëndësishme, sepse edhe sikur Kosova të mos ishte anëtare e BE-së, do të ishte anëtare e NATO-s. Strategjia e Serbisë do të ishte krejtësisht e padobishme”.

Komento: