Efektet negative të vaksinës AstraZeneca/ A janë raportuar efekte anësore nga të vaksinuarit në Kosovë?

09:33 | 05 Maj 2024
efektet-negative-te-vaksines-astrazeneca/-a-jane-raportuar-efekte-anesore-nga-te-vaksinuarit-ne-kosove?

AstraZeneca ka pranuar për herë të parë në dokumentet gjyqësore se vaksina e saj kundër Covid-19 mund të shkaktojë një efekt anësor, në raste shumë të rralla, të shkaktojë TTS, që nënkupton trombozën me sindromën e trombocitopenisë që nënkupton se shkakton mpiksjen e gjakut dhe një numër të ulët të trombociteve në gjak.

Kosova gjatë kohës së pandemisë është furnizuar me vaksina të tilla kur Ministria e Sëndetësisë kishte siguruar një kontigjent të vaksinave Astra Zeneca përmes OBSH-UNICEF-Gavi -Aleanca globale e vaksinave.

Megjithatë, numri i këtyre vaksinave është më i vogël, për shkak se shumica janë vaksinuar me me Pfizer/Biontech.

MSH: Shumica e vaksinave të përdoruara kundër COVID-19 në Kosovë janë të prodhuesit Pfizer/Biontech

Ministria e Shëndetësisë për “Front Online” thotë se shumica e vaksina të Astra Zeneca janë përdorur vetëm në fillim dhe se pjesa dërmuese e vaksinave të përdoruara kundër COVID-19 në Kosovë janë të prodhuesit Pfizer/Biontech.

“Shumica dërmuese e vaksinave të përdoruara kundër COVID-19 në Kosovë janë të prodhuesit Pfizer/Biontech. Vaksina të Astra Zeneca janë përdorur vetëm në fillim, kur MSH kishte siguruar një kontigjent të vaksinave Astra Zeneca përmes OBSH-UNICEF-Gavi -Aleanca globale e vaksinave (24. 000 doza nga GAVI dhe me pas një numër dozash donacion nga Norvegjia)”, thuhet në përgjigje të MSH-së.

Ministria tregon se kompania Astra Zeneca që nga fillimi kishte njoftuar se mpiksja e gjakut mund të jetë një nga efektet anësore të mundshme.

“Që nga fillimi i përdorimi të kësaj vaksine në nivel global, kompania Astra Zeneca, kishte njoftuar se mpiksja e gjakut mund të jetë një nga efektet anësore te mundshme (sidomos te moshat nën 40 vjeç), por e rrallë dhe se, “benefitet e përdorimit të vaksinës jane shumëfish më të larta se sa rreziqet”, thonë nga MSH-ja.

IKSHPK: Në Kosovë s’është regjistruar asnjë efekt anësor serioz nga përdorimi i vaksinave Astra Zeneca

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) lidhur me deklarimet e fundit të kompanisë Astra Zeneca se vaksinat kundër Covid-19 mund të shkaktojë efekte anësore i ka njoftuar më parë por duke theksuar se benefitet nga përdorimi janë shumëfish më të larta krahasuar me rreziqet.

IKSHPK thotë për “Front Online” se deri më tani në Kosovë nuk është është regjistruar asnjë efekt anësor serioz nga përdorimi i vaksinave të Astra Zeneca.

“Në Kosovë, me qëllim të monitorimit të efekteve të padëshiruara (efekteve anësore) të vaksinave gjatë vaksinimit kundër COVID-19 është themeluar Komiteti për përcjelljen e efekteve të padëshiruara dhe se përkundër administrimit të rreth 1.9 milionë dozave të vaksinës kundër COVID-19 (shumica dërmuese të Pfizer/Biontech), nuk është regjistruar asnjë efekt anësor serioz nga përdorimi i këtyre vaksinave në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e IKSHPK-së.

Nga IKSHPK-ja njoftojnë se efektet e padëshiruara të vaksinave zakonisht manifestohen në periudha të afërta pas vaksinimit.

Komento: