Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka njoftuar se nesër me ekipin e unitetit do të takohen me ambasadorët e QUINT-it.
Veseli, ka konfirmuar se nesër delegacioni shtetëror për dialogun me Serbinë, do të zhvillojë një takim edhe me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe përfaqësues të zyrës së BE-së në Kosovë.
Këtë Veseli e ka konfirmuar në një konferencë për media, pas takimit që kanë pasur me udhëheqësit e grupit të unitetit.
Veseli ka thënë se ky takim do të mbahet me qëllim të informimit të ambasadorëve dhe shteteve të QUINT-it rreth zhvillimeve që po ndodhin.
“Takimet do t’i kemi bashkërisht, që nesër do t’i ftojmë edhe vendet anëtare të Quintit dhe Zyrën e BE’së”, ka thënë kreu i Kuvendit.
Ai ka thënë se të gjithë duhet që të bashkohen rreth këtij procesi.
“Është proces i lirisë dhe sovranitetit, proces i territoreve të shtetit tonë të pavarur, është proces i njohjes nga Serbia dhe sigurimin e ulëses sonë në OKB”, ka thënë Veseli.
Në këtë takim ka marrë pjesë vetëm Shpend Ahmeti, ndërsa Fatmir Limaj ka munguar.