Javën e dytë të janarit, Ekipi Negociator do të ketë takimin zyrtar në Bruksel.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se ai është mirënjohës për besimin që i kanë dhënë qytetarët për dialogun por se tani përgjegjësia bie në Ekipin Negociator.
“Unë jam mirënjohës për besimin, së pari nga qytetarët e Kosovës. Jam mirënjohës për vlerësimin e partneritetit që e kanë edhe Bashkimi Europian dhe SHBA-të në raport edhe me mua edhe me presidentin e Kosovës. Unë gjithmonë kam kërkuar që dialogu të jetë më gjithëpërfshirës, sa më i gjerë. Tash pasi Kuvendi ka krijuar Ekipin Negociator, gjë që kam kërkuar gjithmonë.
“Ekipi do të shkojë në Bruksel do të negociojë dhe kur Ekipi Negociator dhe partnerët ndërkombëtarë vlerësojnë që edhe presidentët duhet të jenë, niveli më i lartë politik, unë do të jem aty. Kështu që do të jem një forcë shtytëse, që me përvojën time mund të japë ndonjë një këshillë ndonjë sugjerim, por përgjegjësia më e madhë bie mbi Ekipin Negociator. Por edhe ata duhet ta marrin punën seriozisht dhe jo me komoditet, nuk ka më ditë që duhet humbur sepse të tjerët përgatitën, prandaj duhet një mobilizim i gjithëanshëm, gjithë trurin e njerëzve tanë kudo që janë edhe në diasporë”, ka thënë Thaçi në ‘Zona B’.
“Në asnjë marrëveshje ndërkombëtare, askund në botë nuk ka unanimitet të plotë, masiv. Marrëveshja do të arrihet dhe do të ketë një mbështetje të gjerë qytetarë sepse është një marrëveshje e arritur bashkërisht me SHBA-të dhe BE-në. Jam i bindur se qytetari i Kosovës do të vlerësojë më lart dhe besueshëm bashkëpunimin mes BE-së dhe SHBA-ve sesa refuzimin kryeneç të ndonjë lideri të një kryetari të lagjes apo lagjeve politike. Nuk mund të mbesim viktimë e kryeneçësisë”.
“Unë Ekipin Negociator do ta mbështesë dhe kam besim që do të lëvizim mirë. Do të ketë tani takim edhe në zyrën e kryetarit të Kuvendit për një koordinim sa më të mirë të punëve, kështu që shpresoj se do të ketë hapa konkretë”.
Thaçi foli edhe për kohëzgjatjen e procesit si dhe për takimin që do të ketë Ekipi Dialogues në Bruksel.
“Unë nuk mund të flasë për ditë apo javë sepse tash është delegacioni i Kosovës. Ai do të jetë në Bruksel, sapo u informova, pra ai do të jetë atje në javën e dytë të janarit në një takim zyrtar që do ta ketë. Aty do të hapet një kapitull i ri i dialogut në mes Kosovës dhe shtetit të Serbisë, për çka detaje më shumë do të japin përfaqësuesit e Delegacionit”.
“Një gjë mund të theksojë me bindje, bota nuk e pret skenën politike të Kosovës derisa që partitë të bien dakord për hatërmbetjet mes vete. Bota ka hallet e tjera prandaj na ka ofruar mundësinë historike, të jashtëzakonshme dhe unike”.