Ekipi Negociator ka mbetur pa punë, por jo edhe pa paga.
Ekipi negociator i Kosovës për dialogun me Serbinë, aktualisht ka mbetur pa punë për shkak të mosvazhdimit të dialogut në Bruksel, i cili ka ngecur dhe është bllokuar.
Anëtari i Ekipit negociator, Dardan Gashi, i cili është edhe zëvendëskryeministër dhe ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, tha për Radion Evropa e Lirë se anëtarët e delegacionit që kanë pasur angazhime rreth Ekipit, i kanë kryer punët e tyre, e disa të tjerë janë ende duke punuar.
“Realisht nuk ka ndonjë ndryshim, puna praktikisht është pezulluar pasi që nuk kemi palën tjetër. Po ashtu e di se janë duke u bërë përgatitje, do të thotë në aspektet teknike të krijimit të infrastrukturës me këshilltarë dhe staf përcjellës”, tha Gashi.
Sidoqoftë, me formimin e këtij Ekipi, Qeveria e Kosovës kishte ndarë edhe mjetet financiare për funksionimin e tij.
Nga shuma e përgjithshme e mjeteve të ndara nga Qeveria e Kosovës për Ekipin negociator, në vlerë prej 300 mijë eurosh [mjete të ndara nga rezervat shtetërore], deri më tani janë shpenzuar mbi 34 mijë euro.
Nga këto mjete, sipas Ilir Cacaj i cili është zëvendëskoordinator i zyrës administrative të Delegacionit shtetëror për bisedime, mbi 22 mijë euro janë shpenzuar për udhëtime (bileta aeroplani për udhëtime në Bruksel).
Sipas tij, më shumë se 3 mijë e 400 euro janë shpenzuar për akomodim dhe ushqim (punëtori në Tiranë) për të gjithë anëtaret e Delegacionit dhe stafit përcjellës.