Ekonomia e Kosovës pritet të tkurret për 8.8 përqind sivjet

18:33 | 07 Tetor 2020

Banka Botërore ka një lajm të keq për Kosovën.

Sipas raportit më të ri për ekonominë në rajonin Evropë dhe Azi Qendrore, të publikuar sot nga Banka Botërore, ekonomia e Kosovës pritet të tkurret për 8.8 përqind në vitin 2020.

Në njoftimin BB-së thuhet se pandemia COVID-19 ka shkaktuar rënie në eksportin e shërbimeve dhe zvogëlim të investimeve dhe konsumit.

“Qeveria është përgjigjur shpejtë duke siguruar përkrahje për firmat dhe punëtorët, megjithatë punësimi pritet të ulet ndërsa varfëria të rritet. Remitencat në rritje pritet të zbusin ndikimin e tkurrjes ekonomike. Rimëkëmbja pritet të jetë më e ngadalshme se sa është parashikuar më herët, meqenëse pandemia po zgjat më shumë se sa pritej, duke penguar kështu rritjen ekonomike në vitin 2021”, thuhet në raport.

Më tej theksohet se si një ekonomi kryesisht e bazuar në shërbime, Kosova ishte veçanërisht e ndjeshme ndaj COVID-19.

Po ashtu në raport thuhet se për të zbutur ndikimin e recesionit, qeveria duhet të vazhdojë të investojë në menaxhimin efektiv të shëndetit të shkaktuar pandemia.

Sipas BB-së, rritja e shpenzimeve për shëndetësinë dhe arsimin është me rëndësi për një rimëkëmbje ekonomike më të fortë pas pandemisë në ekonomitë e reja të Evropës dhe Azisë Qendrore.

Komento: