Evropën e ka kapluar një krizë ekonomike.
Gjithnjë e më shumë të dhëna tregojnë se ekonomia në Gjermani është në rënie dhe se ky trend vetëm sa mund të intensifikohet, varësisht se sa i ashpër do të jetë dimri i ardhshëm.
Për të pestën herë radhazi, industria gjermane mori më pak porosi se në muajin e kaluar. Në qershor, diferenca ishte 0.4 për qind krahasuar me majin. Në pamje të parë nuk duket si një rënie e madhe, por 5.6 për qind më pak vende pune janë regjistruar në tremujorin e dytë.
Kryeekonomisti i shtëpisë së madhe bankare gjermane Commerzbank, Jörg Krämer, thotë se megjithëse janë grumbulluar shumë porosi të prapambetura gjatë ndërprerjes pandemike të zinxhirëve të furnizimit, ai gjithashtu thekson se ato nuk do të parandalojnë problemet e ardhshme në prodhimin industrial.
“Rreziku i një recesioni po rritet,” tha ai.
Edhe ekonomistë të tjerë po llogarisin në këtë. Formalisht, një recesion ekonomik vendoset kur ekonomia e vendit përjeton rritje negative në dy tremujorë radhazi. Edhe DekaBank pret një krizë.
“Mund të ndodhë që recesioni të shtrihet nga tremujori i katërt i këtij viti deri në tremujorin e dytë të vitit të ardhshëm”, tha eksperti ekonomik Andreas Scheuerle.
Megjithatë, rënia e numrit të mallrave, vendeve të punës dhe shërbimeve të porositura është vetëm një nga shenjat e një situate ekonomike gjithnjë e më të vështirë. Ka disa arsye për dobësimin e ekonomisë. Norma e lartë e inflacionit dobëson fuqinë blerëse të konsumatorëve.
“Qytetarët nuk mund të përballojnë më aq shumë dhe mund të mos duan të shpenzojnë më shumë”, tha Scheuerle.
Indeksi i klimës së konsumatorit tregon se disponimi për shpenzime në Gjermani në fund të korrikut vijon të bjerë.
Nga ana tjetër, u dobësua edhe ekonomia botërore. Kjo vlen mbi të gjitha për Shtetet e Bashkuara të Amerikës si një nga tregjet më të rëndësishme për industrinë gjermane. Meqenëse norma e inflacionit në SHBA është rritur, banka qendrore e SHBA-së (FED) po prezanton kundërmasa më shpejt, në çdo rast më shpejt se Banka Qendrore Evropiane (ECB).
Përveç kësaj, pasiguria në furnizimin me gaz i shtyp edhe biznesmenët.
“Me siguri nuk do të ketë ndonjë kufizim të madh dimrin e ardhshëm,” beson Scheuerle.
Por ai shton se kompanitë me shumë gjasa do të kursejnë energji, kështu që do të prodhojnë më pak sesa do të ndodhte ndryshe.
Përveç kësaj, askush nuk e di se sa i fortë do të jetë efekti i pandemisë dimrin e ardhshëm. Ekonomia është prekur nga mungesa e fuqisë punëtore për shkak të pushimeve mjekësore.
Mbylljet ndoshta nuk do të ndodhin më në Gjermani, beson Scheuerle, por shton se duhet të merret parasysh që Kina do të mbyllë përkohësisht disa qytete apo porte. Këtë pranverë, mund të shihen pasojat e mbylljeve të tilla për zinxhirët e furnizimit, shton ai.
Në përgjithësi, optimizmi i sipërmarrësve është në rënie. Indeksi i ndjenjës së biznesit tregon se situata në korrik është përkeqësuar krahasuar me qershorin.
Dhe anketuesit në sferën ekonomike gjithmonë vënë në dyshim pritjet ekonomike të sipërmarrësve. Jörg Krämer nga Commerzbank thotë se ky nivel i reduktuar i pritjeve shfaqet në krizën ekonomike dhe reflekton “rreziqe shumë reale”.
“Në fund, Putini po luan me valvulën e gazit, duke nxitur kështu frikën e një krize. Kjo luftë nervash për gazin ndikon në pasigurinë e kompanive, të cilat më pas bëhen të kujdesshme kur porosisin”, tha ai.
Ekziston gjithashtu argumenti se klientët mund të anulojnë ose shtyjnë porositë. Në këtë mënyrë, një “rezervë” e madhe e porosive të grumbulluara nga kohët e pandemisë mund të përpunohet gradualisht, andaj një recesion është pothuajse i pashmangshëm.
“Ekonomia gjermane mund të bjerë me rreth 0.4 për qind më së shumti,” vlerëson Scheuerle.
Por rimëkëmbja pas kësaj nuk do të jetë e fortë, pasi që problemi i furnizimit të pamjaftueshëm me gaz mbetet. Dhe kjo mund të shtyjë pjesë të industrisë gjermane të zhvendosin disa nga fabrikat e tyre jashtë vendit, ku energjia është më e lirë dhe e disponueshme. Vështirësitë aktuale mund të çojnë gjithashtu në ndryshime strukturore afatgjata në ekonominë gjermane.