Ekrem Hyseni që do të ulet në karrigen e Agim Veliut flet pas kandidimit për kryetar të Podujevës

21:46 | 09 June 2021

Njeriu që do të ulet në karrigen e Agim Veliut flet pas kandidimit për kryetar të Podujevës.

Kandidati për kryetar të Komunës së Podujevës nga radhët e LDK-së, Ekrem Hyseni ka folur pas zyrtarizmit të tij si kandidat në zgjedhjet lokale.

Hyseni, i cili do ta zë karrigen e ish-kryetarit Agim Veliut, tha se qytetarët e Podujevës ka kohë që kanë kërkuar që ai të garojë për kryetar të Podujevës, dhe siç thotë ai, lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku i ka dëgjuar me kujdes kërkesat e qytetarëve të Poduujevës.

“Ka rreth dy dekada që e ushtroj profesionin e mjekut i cili më shumë se gjithçka tjetër, më lidhë emocionalisht me fatet dhe përjetimet njerëzore. Duke qenë kështu, përherë, secilin përjetim të tyre e kam marrë afër zemrës dhe këtë jam munduar ta kthej në përkushtim më të madh në punë. Siç e dini, duke dashur që përherë të jem në shërbim të njerëzve, jam angazhuar edhe politikisht duke ju përfaqësuar gjatë një mandati në Parlamentin e Republikës, si deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Gjatë këtij angazhimi, një kërkesë që s’ka reshtur asnjëherë nga llapjanët e sidomos aktivistët, veprimtarët e përfaqësuesit e strukturave të LDK-së ndaj meje, ishte që t’i hyj garës për të parin e Podujevës dhe t’i prij këtij procesi me idenë për të bashkëpunuar me të gjithë, e së bashku për t’i hapur dyert për t’i angazhuar të rinjtë profesionistë e për ta avancuar rolin e gruas në shoqërinë tonë”, shkroi Hyseni në Facebook.

Ai po ashtu njoftoi se ka marrë kompetencat për ta drejtuar degën e LDK-së në Podujevë.

“Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka dëgjuar me kujdes kërkesat e llapjanëve dhe me propozim të tij, Kryesia e LDK-së, sot, e miratoi kandidaturën time për kryetar të Komunës së Podujevës dhe marrjen e kompetencave për ta drejtuar Degën e LDK-së në Podujevë.

Kjo është një përgjegjësi shumë e madhe sepse siç e thashë në fillim të këtij postimi, unë lidhem ngushtë me fatet dhe përjetimet njerëzore. Kjo, domosdoshmërisht çon në dëgjimin me kujdes të secilës kërkesë që vjen nga ju dhe shikimin e mundësive për të gjetur zgjidhje. Zgjidhjet e problemeve duan përkushtim dhe punë. Duan profesionistë të fushave të ndryshme. Duan angazhim maksimal 24 orë – 7 ditë në javë”,vazhdoi Hyseni.

Kandidati për kryetar të Podujevës thotë se Podujevën do ta kthejnë në vendin e parë, aty e meriton.

“Do t’i prijë këtij procesi me secilën e secilin prej jush që e doni Llapin tonë të zhvilluar në nivelin që e meriton. Kam nevojë për angazhimin e secilit aktivist e veprimtar. Unë i prijë garës dhe gjithë këtij procesi, por, kjo s’më bën aspak më të rëndësishëm se secilin prej votuesve, aktivistëve e veprimtarëve, pa angazhimin e të cilëve, Podujeva nuk do të ishte bastion i LDK-së. Bashkë me ju, do t’ia kthejmë shkëlqimin Komunës së Podujevës, Llapit tonë, dhe LDK-në do ta kthejmë në vendin e parë, aty ku e meriton. Me këtë rast, dua të ftoj të gjithë aktivistët tanë që e kanë pushuar aktivitetin për arsye të ndryshme, që të kthehen në shtëpinë e tyre. Do t’i mirëpres dhe dëgjoj të gjithë me shumë kujdes, sepse ne nuk kemi njerëz për të humbur”, shtoi Hyseni.

Ai po ashtu njoftoi se në ditëve në vijim do të mbahet mbloedhja e kryesisë së degës, ku do të formohet Shtabi Zgjedhor.

“Ditëve në vijim do ta mbajmë mbledhjen e Kryesisë së Degës, do ta formojmë Shtabin Zgjedhor dhe do të dalim me listën e kandidatëve për Asamble Komunale e cila ju siguroj se do të jetë gjithëpërfshirëse dhe lista fituese e Podujevë”.

Sot, Abdixhiku zyrtarizoi 8 kandidime për kryetarë komunash në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në tetor.

Komento: