Kundërshtohet ndërtimi në zonën e gjelbër te Fakulteti Teknik.
Komuna e Prishtinës ka vendosur që Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore, Fakulteti Ekonomik si dhe zgjerimi i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Fakulteti Inxhinierisë Elektrike dhe Fakulteti Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës të zhvendosen në lagjen “Bregu i Diellit”, për shkak të kushteve jo të mira në objektet aktuale të tyre.
Por, ekspertët e urbanizimit dhe qytetarët po kundërshtojnë që në atë zonë të gjelbër të ketë ndërtime.
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” po dëshiron objekte, ndërsa qytetarët gjelbërimin aktual. Ka nisur një polemikë e ashpër për hapësirat e gjelbra e cila njihet si lokacioni i kampusit TEKNIKU që gjendet në pjesën jugore të kryeqytetit, në afërsi të tri lagjeve të banimit të qytetit të Prishtinës, Ulpiana, Bregu i Diellit dhe Mati 1 si dhe në anën jugore kufizohet me Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Lokacioni është rreth 87,000 m2 ose 8.70 Ha, ku shumica është hapësirë për rekreacion që shfrytëzohet nga qytetarët e tri lagjeve.
Kuvendi Komunal i Prishtinës, në mbledhjen e mbajtur me datë 05.02.2019 mori vendimin për hartimin e Planit Rregullues të Hollësishëm për atë zonë të quajtur “Hartimi i Planit Rregullues të Hollësishëm për zonën “Fakulteti Teknik, ne lagjen Bregu i diellit”.
Për hartimin e këtij projekti, Komuna ka lidhur marrëveshje me Universitetin e Prishtinës që të bëj Planin Rregullues, ndërkohë të gjitha planet tjera deri më tani janë bërë me oferta të hapura me procedura të prokurimit.UP-ja ngarkoi prof. Dr. Dukagjin Hasimja dhe Ass. Ilir Gjinolli nga Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës që të jenë përgjegjës për zgjedhjen e lokacionit sa më të përshtatshëm për ndërtimin e hapësirave të reja të objekteve në kuadër të kompleksit të ish Fakultetit Teknik. Plani i hartuar, kryesisht nga këta dy profesorë, tashmë është punuar.
Derisa, zyra për marrëdhënie me publikun e Komunës nuk ka dashur të flasë për lajmi.net lidhur më këtë projekt. Por, Komuna ka bërë shpalljen publike duke ua mundësuar qytetarëve që të japin komentet e tyre lidhur me planin rregullues për atë zonë, për një gjë të tillë e obligon dhe ligji.
“Njoftohet i gjithë publiku se Kuvendi i Komunës së Prishtinës, në mbledhjen e mbajtur me datën 27.12.2019, votoi pro propozim – vendimit për lënien në dispozicion për diskutim publik të Projektplanit të Hollësishem Rregullues për Zonën te Fakulteti Teknik, në lagjen “Bregu i Diellit “ dhe njëkohësisht ka marrë Vendim nr.01-350/05-315010/19 që ky Plan të i lihet në dispozicion publikut për shqyrtim dhe komente. Ky Projekt – plan do të ekspozohet në hollin e objektit të Komunës së Prishtinës, rruga UÇK – 2 (objekti i vjetër i Komunës), kati 2, në kohëzgjatje prej 30 ditësh duke filluar prej datës 04.02.2020, çdo ditë pune prej orës 09:00–16:00. Organizmin e shqyrtimit publik të këtij Projekt-Plani e bën Drejtoria e Planifikimit Strategjik dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm të Komunës së Prishtinës, me ç’rast do të evidentohen përmbledhjet e propozimeve, komenteve dhe kundërshtimeve të bëra gjatë shqyrtimit publik, në mënyrë që të njëjtat të shqyrtohen para miratimit përfundimtar të këtij Projekt-plani nga Kuvendi i Komunës së Prishtinës”, ka bërë të ditur Komuna e Prishtinës.
Një ndër arkitektët më të zëshëm për ndërtimet në kryeqytet, Valdet Osmani mendon se hartimi i planit është bërë kundërligjshëm. Madje, ai e ka akuzuar kryetarin e Komunës edhe për nepotizëm në këtë rast.
“I ashtuquajturi plan i hollësishëm është i kundërligjshëm, ku së pari është hartuar nga familjari i kryetarit Shpendit Ahmeti i angazhuar kundërligjshëm shumë vite në UP. Aktivitetet e Kryetarit me mikun e tij duhet të hetohen gjerësisht nga prokuroria sepse ka shumë shkelje ligjore. Gjithashtu, me ligj duhet së pari harta zonale pastaj plani i hollësishem. Për të arritur më lehtë në degradimin e kryeqytetit zakonisht angazhohen personat e lidhur me kryetarin apo rreth tij e qe u dëshmua në shumë aktivitete në këto 6 vite. Shpresojmë se Ministria do te ia hedh poshtë dhe ta denoncojë Kryetarin dhe hartuesin për veprimtari te kundërligjshme që vëjnë në lajthitje asamblistët dhe gjithë qytetarët e kryeqytetit”, thotë Osmani.
Opozita është shfaqur e rezervuar lidhur me ndërtimet e mundshme në zonën e gjelbër. Agim Gashi, shef i grupit parlamentar të LDK-së në Kuvendin e Komunës së Prishtinës ka thënë se partia e tij, fjalën përfundimtare do ta thotë në Kuvend, kur të shkojë për miratim Plani rregullues.
“Meqenëse Qeveria e Kosovës akoma nuk e ka dhënë mendimin përfundimtar se a do të ndërtojë në atë lokacion objektin e Operës dhe Baletit, LDK-ja ende nuk ka marrë qëndrim përfundimtar lidhur me planin e komunës. Këto janë çështje shumë sensitive, pasi Universiteti nuk po ka hapësira të mjaftueshme, sikundër Prishtina ka mjaft nevojë për parqe. Kështu që, mendimin përfundimtar do ta japim, kur të vjen materiali për miratim i atij Plani rregullues për atë zonë”, tha Gashi për lajmi. net.
Tashmë ekziston edhe një peticion me nënshkrimin e qytetarëve që është dorëzuar në Komunën e Prishtinës ku kundërshtohet ndërtimi në atë lokacion.“Për ne banorët është i papranueshëm ndërtimi apo betonizimi i një hapësire që nga ne shfrytëzohet për piknik familjar dhe rekreacion. Ku të dalim tjetër kur të mbushet me objekte këtu”, tha Albert Gashi, një banor në zonën e Bregut të diellit.Edhe qytetarja M.Gj, e cila e frekuenton atë pjesë thuajse çdo mëngjes më qenin e saj, thotë se ndërtimi aty nuk duhet të ndodhë.
“Nuk po kërkojmë hapësirë tjetër gjelbëruese se nuk ka ku të bëhen. Ama këtë pjesë mos ta fusin në geto. UP-ja le të gjejë hapësira të tjera. Duhet të organizohemi për ta ndalur këtë dëm. Ky mohim i jetesës, dëmtim i hapësirës së gjelbër”, thotë ajo.Po ashtu, mbrojtja e hapësirës së gjelbër te Fakulteti Teknik po bëhet edhe në profilin e Grupit për Mbrojtjen e Liqenit të Badovcit. Shumë qytetarë po kërkojnë mbrojtjen e hapësirës së gjelbër te Fakulteti Teknik.