Ekspertët komentojnë deklaratat e Maqedoncit: S’ka rrezik, është KFOR-i

21:26 | 28 Maj 2025
ekspertet-komentojne-deklaratat-e-maqedoncit:-s’ka-rrezik,-eshte-kfor-i

Deklarata e fundit e ministrit në detyrë të Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, se rreth 70% e kapaciteteve ushtarake të ushtrisë serbe janë të pozicionuara pranë kufirit me Kosovën, si dhe Kosova në vazhdimësi ngre shqetësim prezencën e bazave të përparme operacionale të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe përgjatë vijës kufitare me Kosovën ka ngjalluar reagime të shumta nga njohësit e çështjeve të sigurisë.

Duke thënë se këto deklarata publike mund të shkaktojnë panik të panevojshëm në opinion dhe të dëmtojnë perceptimin për seriozitetin institucional në menaxhimin e çështjeve të ndjeshme të sigurisë.

 

Deklarata e Maqedoncit për ushtrinë serbe, Elezi: Mund ta  dëmtojë Kosovën

Njohësi i sigurisë, Bedri Elezi, ka thënë se një deklaratë e tillë e Maqedoncit nuk përputhet me veprimet operacionale të institucioneve të sigurisë në vend.

“Nëse një informacion i tillë do të ishte real, hapi i parë do të ishte thirrja e Këshillit të Sigurisë dhe aktivizimi i planeve emergjente, përfshirë ngritjen e shtabeve të menaxhimit të krizave” u shpreh Elezi.

Ai paralajmëroi se deklarata të tilla mund ta dëmtojnë Kosovën, veçanërisht në aspektin ekonomik dhe në perceptimin e investitorëve të huaj.

Sipas tij, çështje të tilla duhet të trajtohen në organizma shtetërorë dhe jo në publik.

 

Eksperti i sigurisë: Serbia po e përdorë ushtrinë për presion psikologjik ndaj Kosovës

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, për “Front Online” ka deklaruar se përqendrimi i madh i kapaciteteve ushtarake serbe në jug të Serbisë nuk tregon domosdoshmërisht për një përgatitje për sulm të drejtpërdrejtë.

Sipas Shalës, kjo është pjesë e një lufte hibride ku Beogradi përdorë instrumente ushtarake për të rritur tensionet.

“Pozicionimi i përqindjes dërrmuese të kapaciteteve ushtarake në jug të Serbisë sugjeron një politikë të qëllimshme të Beogradit për projeksion force, jo domosdoshmërisht për sulm të drejtpërdrejtë, por për të rritur presionin psikologjik dhe politik mbi institucionet e Kosovës, NATO-n dhe ndërkombëtarët. Ky është një instrument i luftës hibride, ku Serbia përdor armët si mjet për deterrencë ose për të justifikuar ndërhyrje politike në emër të “mbrojtjes së pakicës serbe”, deklaroi ai.

Ai paralajmëron se ky pozicionim hap rrugën për operacione të grupeve të armatosura jo-konvencionale dhe veprime të shpejta të njësive speciale serbe në zonat e veriut të Kosovës.

“Prania e madhe ushtarake rrit tensionin dhe krijon hapësirë për operacione destabilizuese nga grupe të armatosura jo-konvencionale, të cilat më pas mund të shërbejnë si pretekst për një ndërhyrje të “kufizuar ushtarake” nga Serbia”, shprehet ai.

 

Islami: KFOR-i garanton sigurinë, nuk pritet sulm ushtarak nga Serbia

Profesori i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, ka vlerësuar për “Front Online” se, pavarësisht pranisë së ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën, nuk ka vend për alarm.

Sipas tij, siguria dhe integriteti territorial i Kosovës janë të garantuara nga forcat e KFOR-it, të cilat janë të instaluara brenda territorit të vendit.

“Çdo sulm nga Serbia do të ishte sulm ndaj NATO-s dhe nuk pres që të ndodhë një gjë e tillë,” theksoi Islami.

Ai nuk e përjashton mundësinë e incidenteve të izoluara si rasti i Banjskës, por sipas tij, pasojat e tyre do të bien mbi shtetin serb.

 “Nga ushtria serbe nuk pres sulm se çdo sulm do të thotë ndaj NATO-s, incidente e aksione si në Bansjkë mund të ketë por pasojat barten tek shteti serb dhe nuk besoj që do të ketë”, u shpreh ai.

Islami shtoi se Kosova ka forca të mjaftueshme për t’u përballur me çdo situatë të papritur.

 

 

 

Komento: