Ekspertët thonë se Lija e majmunit mund të jetë përhapur përmes marrëdhënieve seksuale

20:00 | 23 May 2022

Lija e majmunëve është duke pasur përhapje të madhe.

Një këshilltar i lartë i Organizatës Botërore të Shëndetësisë e përshkroi si diçka të papritur shpërthimin e paprecedentë të sëmundjes së rrallë të lisë së majmunit në vendet e zhvilluara.

Dr. David Heymann, ish-drejtor i departamentit të emergjencës në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, tha për agjencinë e lajmeve Associated Press se lija e muajmunëve mund të jetë përhapur përmes veprimeve të rrezikshme seksuale në dy festa masive të zhvilluara kohët e fundit në Evropë.

Ai tha se teoria kryesore për të shpjeguar përhapjen e sëmundjes ishte transmetimi përmes marrëdhënieve seksuale midis burrave homoseksualë dhe biseksualë në dy festa muzikore të zhvilluara në Spanjë dhe Belgjikë. Përtej Afrikës, ku është sëmundje endemike tek kafshët, lija e majmunëve nuk është përhapur në masë.

“Ne e dimë se lija e majmunit mund të përhapet kur ka kontakt të ngushtë me plagët e dikujt që është i infektuar. Me sa duket, tani kontakti seksual e ka zgjeruar infektimin”, tha zoti Heymann.

Kjo shënon një ndryshim domethënës nga mënyra tipike e përhapjes së sëmundjes në Afrikën qendrore dhe perëndimore, ku njerëzit infektohen kryesisht nga kafshët e egra si brejtësit dhe primatët dhe shpërthimet e virusit nuk kanë kaluar përtej kufijve.

Një raport i qeverisë gjermane për ligjvënësit, i siguruar nga Associated Press, thotë se pritet shtimi i rasteve dhe se rreziku i infektimit me linë e majmunit duket se vjen kryesisht nga marrëdhëniet seksuale mes burrave.

Katër rastet e konfirmuara në Gjermani kanë lidhje me ekspozimin në “koncerte festive, përfshirë Ishujt Kanarie dhe në Berlin, ku ka pasur aktivitet seksual”, thuhet në raport.

Deri më sot, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka regjistruar më shumë se 90 raste të lisë së majmunëve në disa vende, përfshirë Britaninë, Spanjën, Izraelin, Francën, Zvicrën, SHBA-në dhe Australinë.

Të hënën, Danimarka njoftoi rastin e saj të parë, Portugalia tha se kishte 37 raste dhe Italia raportoi një infeksion tjetër. Zyrtarët shëndetësore në Madrid thanë të hënën se deri tani kryeqyteti spanjoll kishte 30 raste të konfirmuara.

Zyrtari i lartë shëndetësor i Madridit, Enrique Ruiz Escudero, tha se autoritetet po hetojnë lidhjet e mundshme midis një ngjarje festive në Ishujt Kanarie, “Gay Pride”, me mbi 80,000 pjesmarrës, si dhe rasteve në një banjë avulli në Madrid.

Heyman kryesoi të premten një takim urgjent të grupit këshillues të OBSH-së për kërcënimet e sëmundjeve infektive për të vlerësuar epideminë dhe tha se nuk kishte prova që sugjeronin mutacionin e lisë së majmunëve në një formë më infektive.

Lija e majmunit zakonisht shkakton ethe, skuqje dhe puçrra në fytyrë ose në organet gjenitale. Mund të përhapet përmes kontaktit të ngushtë me një person të infektuar, rrobave ose çarçafëve të tij, por transmetimi seksual ende nuk është dokumentuar.

Shumica e njerëzve shërohen nga sëmundja brenda disa javësh pa pasur nevojë të shtrohen në spital. Vaksinat kundër lisë, sëmundje që lidhet me të, janë gjithashtu efektive në parandalimin e lisë së majmunëve ndërsa ka hulumtime për prodhimin e disa ilaçeve antivirale.

Vitet e fundit, sëmundja u ka marrë jetën rreth 6% të të infektuarve, por deri tani nuk ka njoftime për vdekje mes rasteve aktuale. Specialistët paralajmërojnë se tubimet masive, festivalet dhe festat gjatë verës mund të përshpejtojnë përhapjen e lisë së majmunit.

Komento: