Oda Tregtare Kosovaro-Turke festoi 15-vjetorin e themelimit në ceremoninë e mbajtur në mbrëmjen e datës 20 Qershor, ku morën pjesë zëvendëskryeministrja e Kosovës Emilija Rexhepi, ministri i Zhvillimit Rajonal Fikrim Damka, ambasadori i Turqisë në Prishtinë Tunç Angılı, përfaqësues të institucioneve kosovare dhe atyre turke, kryetarë të Komunave, liderë të partive politike, anëtarë të Odës dhe përfaqësues të sektorit privat. Në një konferencë për media të mbajtur para pritjes u vlerësuan marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.
“Eksportet e Kosovës drejt Turqisë janë rritur rreth 10 herë në këto 15 vite. Pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, pra gjatë viteve 2020-2022 rritja ka shkuar në 100%”, kështu thuhet në komunikatën për media të Odës Tregtare Kosovaro-Turke.
Kryetari i Odës Tregtare Kosovaro-Turke, Abdurrahman Balkız, ka thënë se Kosova dhe Shqipëria janë zona tërheqëse për investime nga Turqia në vendet e Ballkanit.
“Turqia ka një ekonomi të madhe dhe produktive. Me kalimin e kohës gjatë këtyre 15 viteve, pjesëmarrja e saj në importet e Kosovës e bëri atë një ndër partnerët më të mëdhenj këtu. Megjithatë, Turqia kontribuon edhe në prodhimin e Kosovës. Sepse në njërën anë pajisjet e makinerive dhe gjysëm produktet janë ndër artikujt e importit të Kosovës nga Turqia, nga ana tjetër investimet e drejtpërdrejta të kompanive turke hapin dyert e eksportit në Kosovë”, ka deklaruar ai.
“Do të shohim në prezantim pak më vonë se si investimet e huaja direkte, kur vijnë në një vend, ndikohen shumë nga faktorë, si madhësia e atij vendi, integrimi i tij në tregjet globale, politikat dhe stimujt e tërheqjes së investimeve. Meqenëse çdo vend ka parametra të ndryshme, investimet e huaja direkte kanë kuptim me normat e tyre në atë vend”, ka përfunduar Balkız.
Ndërsa, ambasador i Turqisë në Kosovë, Tunç Angılı, ka thënë se të gjithë jemi përgjegjës në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe ekonomike dhe për të eliminuar problemet.
“Fakti që Oda Tregtare Kosovaro Turke ka 15 vite që funksionon, do të thotë se ekziston që nga Pavarësia e Kosovës. Kjo tregon se sa të thella dhe të rrënjosura janë marrëdhëniet mes nesh në çdo fushë. Turqia, përmes kompanive turke dhe kosovare anëtare në Odën Tregtare Kosovaro Turke, përmes dialogut ndërqeveritar dhe më e rëndësishmja, përmes kontakteve mes njerëzve, në mënyrë që Kosova të mund të qëndrojë e fortë me të gjitha institucionet e saj, ekonominë, politikën dhe sigurinë do të vazhdojë të mbështesë Kosovën ashtu siç ka bërë deri sot”.
“Nuk mjafton vetëm bashkëpunimi ndërqeveritar, edhe ju si Odë keni një përgjegjësi të madhe për t’i zgjidhur këto probleme dhe veçanërisht për t’ua shpjeguar potencialin real këtu kompanive në Turqi. Nëse ne mund ta bëjmë këtë, mendoj se mund të arrijmë edhe objektivin prej 1 miliard € në tregti në afat të shkurtër, 1 miliard € në investimet e Turqisë në Kosovë dhe 100 mijë njerëz në vit në numrin e turistëve dhe biznesmenëve që vizitojnë Kosovën nga Turqia”, ka përfunduar Angılı.
Ndërsa, zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi, ka thënë se shtetet duhet ta nxisin bashkëpunimin, veçanërisht ndërmjet investitorëve turq dhe kosovarë.
“Besoj se është përgjegjësia jonë për të nxitur dhe zhvilluar dialogun dhe bashkëpunimin, veçanërisht ndërmjet investitorëve turq dhe kosovarë. Dhe, sigurisht, për të zhvilluar partneritete nga të cilat do të përfitojnë të dyja vendet.”
Marrëdhëniet ekonomike të vlerësuara në konferencën për shtyp
Eksportet e Kosovës drejt Turqisë janë rritur rreth 10 herë në këto 15 vjet. Pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, pra gjatë viteve 2020-2022 rritja ka shkuar në 100%. Vlen të theksohet se ndikim në këtë rritje kanë pasur edhe investimet nga Turqia. Në anën tjetër, rritje e madhe vërehet edhe tek importet e Kosovës nga Turqia. Midis viteve 2008 dhe 2022, ka pasur një rritje prej 6.5 herë të importeve. Në këtë rritje, vihet në pah importi i pajisjeve të makinerive dhe gjysmëprodukteve; ku kjo tregon se industria prodhuese në Kosovë ka filluar të ringjallet.
Në anën tjetër, Kosova ka qenë gjithmonë vend tërheqës për investitorët turq. Nga viti 2022, totali kumulativ i investimeve turke ka kaluar vlerën e 450 milionë eurove. Investimet nga Turqia zënë vendin e tretë në Kosovë pas Gjermanisë dhe Zvicrës. Këto investime, të cilat nuk janë realizuar në sektorin e patundshmërive, por në sektorë të tjerë me ndikim në zhvillimin ekonomik, kontribuojnë edhe në punësimin në Kosovë. Kompanitë turke në Kosovë sigurojnë rreth 10,000 vende pune.
Gjithashtu, nëse vlerësojmë investimet turke në vendet e Ballkanit, vërejmë se Kosova përbën një vend të rëndësishëm në këtë aspekt. Sepse, në asnjë vend tjetër në Ballkan investimet turke nuk zënë vende të para sipas renditjes. Turqia, e cila zë vendin e tretë në investimet e huaja në Kosovë, është e 5-ta në Shqipëri, e 7-ta në Maqedoninë e Veriut, e 10-ta në Bosnje dhe Hercegovinë dhe e 19-ta në Serbi.
Ndër arsyet se pse Kosova është kaq përpara në Kosovë, janë marrëdhëniet miqësore ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, si dhe kontributi i institucioneve në këto marrëdhënie. Oda Tregtare Kosovaro-Turke vazhdon të kontribuojë në zhvillimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet dy vendeve. Oda jonë do të vazhdojë misionin e saj për të qenë një urë ekonomike ndërmjet dy vendeve.