Kosova eksportin në disa vende të Evropës.
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin tetor 2021.
Sipas ASK-së, të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 33,3% në muajin tetor 2021, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2020, gjegjësisht në vlerë prej 355.8 milionë eurove, krahasuar me deficitin prej 267.0 milionë euro në vitin 2020. Eksporti mbulon importin me 17,0%.
Eksporti i mallrave në muajin tetor 2021 kishte vlerën 72.6 milionë euro, ndërsa importi 428.5 milionë euro, që është një rritje prej 43,5% për eksport dhe 34,9% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020.
“Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 26,5% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 26,4% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 11,9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 7,9% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5,9% e përbëjnë produktet minerale; 4,9% e përbëjnë produktet bimore; 2,9% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike etj.”, thuhet në publikimin e ASK-së.
Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import e përbëjnë: 14,2% produktet minerale; 12,9% metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12,5% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10,7% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 7,4% plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 7,3% mjetet e transportit; 7,1% produktet e industrisë kimike etj.
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së (27) arritën në 22.8 milion euro, ose rreth 31,4% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 39,7%.
Më së shumti eksport Kosova ka në Gjermani, Itali dhe Holandë.
“Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (9,4%), Italia (6,0%), Holanda (2,7%) etj. Importet e Kosovës nga vendet e BE-së (27) ishin rreth 175.7 milionë euro, ose 41,0% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 34,6%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (11,7%), Italia (6,1%), Greqia (3,6%), Sllovenia (3,6%) etj.”, thuhet në publikimin e ASK-së.
Sipas ASK-së, në muajin tetor 2021 eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 24.1 milionë euro, ose 33,2% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 19,2%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (12,2%), Maqedonia e Veriut (10,8%), Serbia (5,1%) dhe Mali i Zi (4,0%).
Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin tetor 2021 arritën në 90.3 milionë euro, ose 21,1% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 31,5%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (7,3%), Shqipëria (6,3%) dhe Maqedonia e Veriut (5,6%).
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 25.6 milionë euro, ose 35,3%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA-ja (20,3%) dhe Zvicra (8,4%).
Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 162.3 milionë euro, ose 37,9%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (12,0%) dhe Kina (10,7%).